Dhuna në shkolla nga ana e mësimdhënësve dhe nxënësve mes vete nuk raportohet dhe monitorohet ashtu siç duhet. Pedagogët theksojnë se duhet bashkëpunim më i mirë në mes trekëndëshit prind, nxënës dhe mësimdhënës, si dhe organeve tjera kompetente
Remzije BILALLI
Shkup, 30 shtator – Dhuna fizike dhe psikike në institucionet edukativo-arsimore, mbetet një problem shqetësues për shoqërinë tonë. Dhuna në shkolla nuk monitorohet dhe nuk raportohet sa duhet prandaj të dhënat janë të kufizuara dhe jo reale. Ndërsa raporti i fundit nga UNICEF tregon se në Maqedoni, 42 për qind e nxënësve midis moshës 13 dhe 15 vjeç raportuan dhunë nga bashkëmoshatarët brenda dhe rreth shkollës.
Organizata për të drejtat e fëmijëve ‘Megjashi’ për gazetën KOHA theksoi nga të dhënat të cilat ata i posedojnë nga raporti i periudhës së vitit nëntor 2017 – nëntor 2018 nga puna e SOS telefonit, janë raportuar gjithsej tetë raste ndaj dhunës , gjashtë raste të dhunës fizike dhe psikike midis nxënësve dhe dy rasteve të ankesave si neglizhencë ndaj nxënësve. Pesë nga këto fëmijë ishin viktimë e dhunës së bashkëmoshatarëve, ndërsa për tre fëmijë është kërkuar ndihmë, mbështetje dhe informacion të cilat lidhen me shëndetin e tyre mendor në drejtim të njohjes dhe trajtimit të gjendjes depresive tek fëmijët. Për këtë vit nuk ka informata sa i përket dhunës tek fëmijët.
Pedagogët për gazetën KOHA theksuan se dhuna vjen si rezultat i shumë shkaqeve dhe manifestohet në mënyra të ndryshme, andaj prindërit dhe pedagogët duhet të punojnë për ta gjetur burimin i cili ka nxitur dhunën dhe njëkohësisht të marrin masa preventive. Sipas tyre i rëndësishëm është bashkëpunimi dhe trajtimi i këtyre temave si preventiv për parandalimin e çdo lloj dhune, ndërsa apelojnë rastet e tilla të trajtohen dhe jo të heshten.
“Duhet ta pranojmë se dhuna tek fëmijët është e pranishme, ka disa mënyra për ta evituar këtë po thelbësore është ngritja e vetëdijes si tek prindërit por edhe tek mësimdhënësit. Besoj qe duhet të punohet më shumë në këtë drejtim që të përcillet ky fenomen dhe të aftësohen për ti zbuluar rastet dhe parandaluar ata. Për të parandalua dhunën dhe agresivitetin mes nxënësve në shkollë duhet një bashkëpunim serioz mes shkollës dhe familjes, mes prindërve dhe arsimtarëve, me pjesëmarrjen aktive të shërbimit pedagogji” tha pedagogu Xheladin Murati.
Nga ana tjetër Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) në bashkëpunim me Ministrin e Punëve të Brendshme, Organizatat jo qeveritare, qeveritë lokale dhe partnerët e tjerë në kontinuitet punojnë për ngritjen e ndërgjegjësimit tek të rinjtë për sjellje tolerante dhe tejkalimin e konflikteve pa dhunë.
MASH për gazetën KOHA theksoi se kanë një numër të madh projektesh në këtë drejtim, si projekti për arsimin e integruar dhe projekti për “Sigurinë e shkollave – ambient në harmoni”, me karakter preventiv, e cila ka për qëllim parandalimin e çfarë do lloji të dhunës duke zhvilluar kështu një ambient të këndshëm, stimulues si dhe duke mundësuar bashkëjetesë në shkolla. Ky është fokusi i ardhshëm për të cilën MASH do të kushtojë vëmendje të veçantë.
Ligji i pestë gjithashtu konstaton se të punësuarit në shkollat fillore janë të detyruar të promovojnë barazi te të gjithë nxënësit ndërsa të kundërshtojnë dhunën dhe diskriminimin të të gjitha formave. Më tej ligji 65-t thotë se drejtori i shkollës duhet të paraqes çdo keqpërdorim, dhunë dhe diskriminim.
“Shkollat janë të detyruara në programin e tyre vjetor të punojnë plan programe për parandalimin dhe mbrojtjen e nxënësve nga dhuna, keqpërdorimi dhe diskriminimi. Këto aktivitete janë paraparë të punohen në bashkëpunim mes prindërve, kujdestarëve, organizatave të ndryshme si dhe institucioneve tjera kompetente”, theksuan nga MASH.
Këto dispozita në të ardhmen do të përfshijnë edhe shkollat e mesme .