Shpërfillja e këshillave për siguri më të madhe në komunikacion renditet ndër shkaqet kryesore të shtimit të aksidenteve rrugore. Apelet e institucioneve për respektimin e rregullave të komunikacionit, si nga këmbësorët ashtu edhe nga shoferët, pothuajse fare nuk praktikohen
Omer XHAFERI
Shkup, 14 gusht – Kronika e zezë në Maqedoni kryesisht përbëhet prej aksidenteve në komunikacion. Fushatat e ndryshme edukative për ngritjen e vetëdijes tek vozitësit dhe qytetarët, sipas situatës nuk terren fare pak japin rezultate. Rekomandimet e institucioneve përkatëse që kujdesen për rritjen e sigurisë në komunikacion, po ashtu qytetarët nuk i marrin me seriozitetin më të lartë, shkruan gazeta KOHA.
Pamjet e përditshme që mund të shihen nëpër rrugët dhe rrugicat e Maqedonisë, të bëjnë të kuptosh se qytetarët e këtij vendi janë mësuar me shkeljen e rregullave të komunikacionit. Përkundër faktit se shpejtësia e lejuar në vendet urbane, sipas Ligjit për siguri në komunikacion, arrin deri në 50 kilometra në orë, të dhënat e fundit të publikuara nga Ministria e Punëve të Brendshme flasin se vetëm për periudhën janar-maj të këtij viti kanë ndodhur mbi 1 mijë aksidente në komunikacion.
Ndonëse plotësimi i kësaj kornize ligjore pësoi ndryshime vite më parë, analizat e publikuara nga organet e rendit tregojnë se vetëm për tejkalim të shpejtësisë gjatë periudhës së kaluar janë shqiptuar afërsi 3 mijë gjoba. Në këto të dhëna nuk përfshihen gjobat e shqiptuar qytetarëve (këmbësorëve) të cilët vend e pa vend i kalojnë rrugët.
“Infrastruktura rrugore dhe ajo sinjalizuese janë faktor i rëndësishëm i cili ndikon në rritjen e sigurisë në komunikacion. Megjithatë, statistikat dhe analizat e realizuar dëshmojnë se faktori njeri vazhdon të mbetet faktor dominues nga i cili varet siguria në komunikacion, gjegjësisht shkelja e rregullave dhe urdhrave në komunikacion nga njëra anë dhe nivel i ulët i kulturës apo etikës nga ana tjetër, në masë të madhe e rrezikojnë jetën dhe shëndetin e pjesëmarrësve në trafikun rrugor. Për këtë arsye ne vazhdimisht kemi apeluar që ngritja e vetëdijes dhe përgjegjësisë personale janë shtylla në komunikacionin rrugore”, thotë Risto Mançev, nga KRSK-ja Mbase sezoni i udhëtimeve dhe pushimeve ende është aktual nga Këshilli për Siguri në Komunikacion, së fundmi e kanë filluar fushatën “Në udhëtim, nisu i sigurt”.
Duke pasur parasysh se shumica e qytetarëve të Maqedonisë, pushimet verore i kalojnë në ndonjë prej liqeneve në vend, nga KRSK-ja, thonë se servisimi i veturës dhe shpejtësia e kontrolluar të mundësojnë arritje të sigurt në destinacionin e synuar.
“Para se të niseni në rrugë gjithsesi duhet të kontrollohet gjendja teknike e veturës, në veçanti e sistemit të frenimit dhe elektroinstalimit. Mos lejoni që ndonjë defekt i fshehur t’ju befasoj gjatë udhëtimit, i cili më pas mund t’ju kushtojë shumë për sigurinë e juaj dhe të afërmeve tuaj. Po ashtu ekziston mundësia që të humbni shumë kohë dhe para. Para çdo udhëtimi kontrolloni gjendjen e gomës rezervë dhe pakon e ndihmës së parë. Njëkohësisht gjatë rrugëtimi mos shpejtoni dhe mos tejkaloni në vende të pasigurta. Aksidentet më të shpeshta në komunikacion ndodhin si pasojë e mos respektimit të rregullave që e kufizojnë shpejtësinë, shpërfillja e rekomandimeve për tejkalim, respektivisht mos dhënia përparësi gjatë tejkalimeve paraqet arsyen kryesore të shkaktimi të aksidenteve në rrugë”, thonë nga KRSK-ja.
Ndryshe, nga ky institucion shtetërore i cili nga afër e përcjell gjendjen në komunikacionin rrugore, shprehen se vozitësit kohën e humbur në trafik nuk duhet ta kompensojnë me shpejtësi të madhe. Nëse një shofer vepron në mënyrë të tillë, atëherë nga KRSK-ja, theksojnë se rreziku për të shkaktuar aksident është tejet i lartë. (koha.mk)