Aplikacioni “Telegram” në të cilën u shpërndanë materiale pornografike të vajzave të mitura nga e gjithë Maqedonia, ngjalli shumë debate për atë se kush është fajtor. Psikologët dhe pedagogët theksojnë se rol të madh luajnë prindërit dhe institucionet
Remzije BILALLI
Shkup, 29 janar – Informacioni për mbylljen e grupit në aplikacionin “Telegram”, në të cilën u shpërndanë materiale pornografike të vajzave të mitura nga Maqedonia, ngjalli shumë debate sidomos në rrjetet sociale.
Në Twitter gjithashtu zhvillohet një debat i ashpër për atë se kush është fajtor për dërgimin e fotove dhe videove eksplicite. Prindërit të cilët nuk janë në dijeni se çfarë po ndodh me fëmijët e tyre, ata që i keqpërdorin këto materiale, shoqëria. Hetime policore ende po vazhdojnë, ndërkaq është informuar edhe Zyra e Prokurorisë Publike. Sipas ekspertëve kjo është vetëm një nga dhjetë grupet e tilla të cilat qarkullojnë në internet.
Komente të tipit “ Nuk i dënoj vajzat të cilët kushedi kujt i kanë dërguar fotografi dhe në çfarë rrethana”, “Çka presim nga të mitur të cilët bredhin deri në mëngjes, pinë…ndërsa nuk dinë të paktë Maqedoninë ta gjejnë në hartë” , ndërkaq kishte edhe komente që fajësonin prindërit e sidomos nënat për mos kujdesin ndaj fëmijëve.
Meri Cvetkovska nga organizata HERA për gazetën KOHA theksoi se rasti Telegram dhe grupi i mbyllur “Dhoma Publike” janë probleme për të cilat alarmojnë për një kohë të gjatë.
“Dhuna në bazë të moshës dhe gjinisë është një problem i përditshëm me të cilin përballen të rinjtë brenda dhe jashtë shkollës. Nëse jeni duke kërkuar fajtorë, mos kërkoni tek të rinjtë. Sjelljet e tyre janë rezultat i zgjidhjeve të dobëta të sistemit, si sistemit arsimor dhe injoranca e të rriturve për problemet e tyre. Gjithashtu jemi dëshmitarë të incidenteve të përditshme dhe formave të ndryshme të dhunës tek të rinjtë që lënë gjurmë në jetën e tyre dhe ndikojnë në zhvillimin e tyre psiko-fizik” tha Cvetkovska.
Sipas Cvetkovës kjo është edhe një shenjë më shumë se duhet urgjentisht të përfshihet lënda e Edukimit Seksual në Arsim, e cila do ti udhëzojë nxënësit cilat janë të drejtat dhe detyrimet e tyre, do t’i mësojnë ata të flasin hapur për seksualitetin e tyre dhe të shkëmbejnë informacione.
Mr. Psikologia Hatixhe Sefa tha se faji nuk mund mbetet tek njëra apo tjetra palë, në fakt përderisa bëhet fjalë për moshën e adoleshencës një barrë më e madhe mbetet mbi prindërit.
“Në moshat e tilla një kujdes i veçantë mbi adoleshentët duhet bërë pikërisht për përdorimin e mjeteve të teknologjisë. Koha se sa ata janë para ekraneve, me çfarë angazhohen dhe si e plotësojnë ditën e tyre është me rëndësi të veçantë në formimin e veseve të këqija, varshmërisë ndaj teknologjisë dhe formimin e personalitetit të tyre”, tha Sefa për gazetën KOHA.
Sefa rekomandoi që prindërit të mbajnë qëndrimin e tyre bashkëveprues me fëmijët e tyre duke mbajtur shoqëri dhe marrëdhënie të mira për të kuptuar se çfarë përdorin dhe me çka angazhohen gjatë përdorimit të mjeteve të teknologjisë. Nga ana tjetër ajo porositi ti angazhojnë fëmijët me aktivitete të ndryshme qoftë sportive, kulturore për ti defokusuar nga rrjetet sociale.
“Ka nevojë për edukim seksual, por edhe për raportet ndërnjerëzore për të ngritur nivelin e empatise dhe ndjenjave pozitive. Nga ana tjetër një pjesë e detyrës u takon edhe institucioneve edukativo-arsimore që të angazhohen me punëtori të ndryshme me qëllim të ngritjes së vetëdijes dhe zhvillimit të personalitetit”, tha Sefa.
Pedagogia Eleonora Çikalova theksoi se edukimi fillon qysh nga vegjëlia, qoftë ai edukim ekologjik, seksual apo çfarëdo lloji tjetër dhe më pas vazhdon në institucionet tjera, duke nisur nga çerdhja, shkolla fillore e duke vazhduar kështu me radhë.
“ Fëmijët janë më pak fajtor në këtë rreth sepse ata nuk mund të mendojnë në mënyrë racionale dhe të mendojnë në mënyrë të duhur në këtë moshë. Prindërit ju japin celular, laptote fëmijëve të tyre megjithatë nuk merret kujdes i mjaftueshëm dhe nuk flitet mjaftueshëm për të gjitha rreziqet që sjellin këto faqe dhe interneti në përgjithësi. Gjithsesi edhe policia duhet të angazhohet me shumë”, tha Çikalova për gazetën KOHA.
Ajo shtoi se edhe shkollat kanë detyrën e tyre që nëpërmjet aktiviteteve të ndryshme tu shpjegojnë nxënësve se cilat janë anët negative të internetit.