Mungojnë tabelat informuese për turistët

Përveçse në qytetin e Tetovës, mungesa e tabelave të këtilla informuese vërehet edhe përgjatë autostradës Shkup-Tetovë, ku ka tabela për vende të largëta mbi 100 kilometra siç është Vevçani dhe Mavrova, por mungojnë për Xhaminë e Pashës dhe Kodrën e Diellit

Urim HASIPI

Tetovë, 25 prill – Shumë pak tabela vërehen në qytetin e Tetovës për pikat turistike dhe monumentet historike apo kulturore. Kjo krijon edhe shumë vështirësi për ato turistë që vijnë nga jashtë për orientim më të mirë, ose për vizitë të vendeve që llogariten si atraksion turistik. Tabelat mungojnë për në Kodrën e Diellit, Xhaminë e Pashës, Arabati Baba Teqenë, Hamamin e Tetovës, por edhe për Kalanë e Tetovës, shkruan gazeta KOHA.

Këto janë ndër të paktët vende në këtë qytet, që vizitohen nga turistë të huaj, por e kanë vështirë që t’i gjejnë lokacionet e tyre, sidomos nëse bëhet fjalë për Arabatin Baba Teqenë, Kalanë apo Kodrën e Diellit. Në seancën e parafundit të këshillit të Komunës së Tetovës, është vendosur që të formohet Qendër Informative Turistike. Kryetari i këshillit të Komunës së Tetovës, Bekim Memeti thekson se një qendër e këtillë ka munguar shumë në këtë qytet sepse turistët nuk kanë orientim të saktë për vendndodhjen e këtyre lokaliteteve që kanë peshë historike, fetare apo kulturore.

“Në seancën e fundit miratuam pikën rreth Qendrës Informative Turistike. Bëhet fjalë për një projekt info dhe promo-qendra të mençura. Ky projekt është propozuar në kuadër të forumeve rajonale të Pollogut dhe është përkrahur nga ana e Ministrisë së Pushtetit Lokal dhe Agjencia Zvicerane për Zhvillim, implementuar nga Qendra e Rajonit Planor të Pollogut në bazë të prioritetit. Është një projekt që i ka munguar Tetovës, sidomos turistëve, të cilët vijnë për të vizituar qytetin e Tetovës. Jemi dëshmitarë se më herët nuk kemi patur një qendër të këtillë, dhe kjo do të ndikojë pozitivisht në orientimin e turistëve të cilët vijnë”, tha Memeti. Nga ana tjetër, edhe përfaqësues të institucioneve përkatëse shprehin shqetësimin e tyre që nuk ka tabela informuese lidhur me këto objekte që vizitohen nga turistë të huaj. Nga Xhamia e Pashës kërkojnë që institucionet më shumë të bëjnë në këtë drejtim, që të përmirësohet infrastruktura informuese nëpër qytet. Mensur Miftari, Kryetar i Këshillit të Xhamisë së Pashës, shfaqi shpresë se institucionet do të gjejnë mënyra dhe forma që të përmirësohet mungesa e tabelave informuese. Ai thotë se objektet apo pikat turistike duhet që më shumë të promovohen nga institucionet.

“Është çështje shumë shqetësuese. Edhe ne si këshill i Xhamisë por edhe si Myftini e Tetovës, jemi të shqetësuar dhe shpresojmë që të paktën institucionet komunale të na përkrahin në këtë drejtim, pra këto dy apo tri objekte që janë në Tetovë të promovohen edhe më shumë”, thotë Miftari nga Këshilli i Xhamisë së Pashës në Tetovë. Përveçse në qytetin e Tetovës, mungesa e tabelave të këtilla informuese vërehet edhe përgjatë autostradës Shkup-Tetovë, ku ka tabela për vende të largëta mbi 100 kilometra siç është Vevçani dhe Mavrova, por mungojnë për Xhaminë e Pashës dhe Kodrën e Diellit. Sipas informacioneve, është paraparë që në kuadër të Qendrës Informative Turistike në Tetovë të punësohen dy persona të cilët në kohë reale do të mund të japin informacione për turistët që kanë vendosur të vizitojnë këto objekte, në ndërkohë apelojnë që edhe institucionet qendrore do të duhet që më shumë të kujdesen dhe të vendosin tabela të këtilla është jashtë territorit të komunës së Tetovës. (koha.mk)