Qytetarët apelojnë se duhet të rritet numri i gjinekologëve si dhe të bëhet shpërndarja përkatëse e rrjetit për të shmangur situata ku ka përqendrim të lartë të gjinekologëve në një zonë, përderisa mungojnë në zonë tjetër, apo më të vogël, si dhe stimulim plotësues i gjinekologëve që dëshirojnë të punojnë në zona vështirë të qasshme dhe rurale
Delvina KËRLUKU
Shkup, 22 korrik – Sëmundjet malinje të qafës së mitrës janë ndër çrregullimet më të shpeshta te femrat. Në qoftë se bëhen kontrolle parandaluese gjinekologjike të rregullta dhe me kohë, kjo sëmundje mund të zbulohet në fazë të hershme, ku edhe mund të shërohet, thonë mjekët. Gjashtë vite më herët në Republikën e Maqedonisë filloi fushata për ekzaminimin e kancerit në grykën e mitrës, me të cilën parashikohej Testi PAP falas tek gjinekologu amë i përzgjedhur. Kjo fushatë, përveçse kishte për qëllim parandalimin dhe diagnostikimin e hershëm të sëmundjeve malinje gjinekologjike, ajo njëkohësisht ndikonte ndërgjegjësimin e grave mbi nevojën për përzgjedhje të gjinekologut amë.
Se sa gratë sot shfrytëzojnë shërbime shëndetësore, me vizita për kontroll të rregullt gjinekologjik dhe në testimet PAP, ky numër ka rënë dukshëm, veçmas në pjesët më të thella të vendit. Sidomos kur bëhet fjalë për rastet e evidentuara të lindjes, spontane ose lindjeve të qëllimshme tek vajzat e mitura, si dhe në numrin e rasteve të evidentuara të intervenimeve pas ndërprerjes joprofesionale të shtatzënësisë.
Kryetari i shoqatës së mjekëve shqiptar në Maqedoni, dr.Nevzat Elezi, për gazetën KOHA, thotë se gjeneratat e reja për fat të mirë nuk kanë simptome. Të rejat nuk bëjnë kontroll, pasi që bëhet fjalë për parandalim, dhe shumë pak janë të interesuara për bërjen e këtij testi. Ai thotë se tre vitet e fundit nuk ka fare interesim nga qytetaret dhe kjo si pasojë e mospromovimit të mjekëve amë, ku shteti bënte propagandë dikur. Gjithashtu ka mungesë të gjinekologëve amë, por është stërngarkim për ata gjinekologë qofshin ata që kanë ordinancë private ose që bëjnë punën në institucione shëndetësore publike, që janë të marra me koncesion. Popullata sipas tij është e mbuluar deri diku me gjinekolog amë, por ai është i angazhuar, sepse nuk ka kohë të mjaftueshme të merret edhe me prevencion. Dr.Elezi theksin e vë te mungesa e materialeve, gjegjësisht në gjuhën shqipe, si materiali propagandues, por mungojnë edhe aktivitetet nga njerëzit profesionist, veçmas te të rinjtë që duhet të bëjnë kontroll. Ai shton se është përgjegjëse Ministria e Shëndetësisë të furnizojë me materiale qytetarët edhe në gjuhën shqipe jo vetëm në gjuhën maqedonase. Dhe, sipas tij, aktivitetet si seminare ose forume duhet të jenë të fokusuar edhe te shoqëria shqiptare, e cila në këtë aspekt është më e tërhequr. Ku gratë të moshës 49-60 vjeçare që duhet t’u shpjegohet rëndësia e kontrollit edhe atë në gjuhën amë. Për pjesën rurale nga Shoqata e Mjekëve shqiptar edhe pse thonë se banorët janë të mbuluar me mjekun amë, aty mungojnë pajisjet dhe materialet udhëzuese. Për gjinekologun koha është e kufizuar për të shpjeguar faktorët e rrezikut, shenjat dhe simptomat e kancerit të mitrës, leksionet e mundshme parakanceroze, prandaj duhen materiale.
Mjekët thonë se Pap Testi është test i shpejt për të kontrolluar shëndetin e qafës së mitrës. Ky test kryhet për të zbuluar ndryshimet parakanceroze të qafës së mitrës. Testi është pjesë e një ekzaminimi gjinekologjik të rregullt. Qëllimi i këtij procesi është parandalimi i sëmundjes, si dhe reduktimi i vdekjes tek gratë nga kanceri në grykën e mitrës, për të cilën nevojitet inkuadrimi i gjithë gjinekologëve amë në ekzaminimin dhe në detektimin e hershëm të kësaj sëmundjeje, si dhe ndërgjegjësimi i grave mbi rëndësinë e vizitave të rregullta gjinekologjike dhe PAP testeve.
Qytetarët apelojnë se duhet të rritet numri i gjinekologëve si dhe të bëhet shpërndarja përkatëse e rrjetit për të shmangur situata ku ka përqendrim të lartë të gjinekologëve në një zonë, përderisa mungojnë në zonë tjetër, apo më të vogël, si dhe stimulim plotësues i gjinekologëve që dëshirojnë të punojnë në zona vështirë të qasshme dhe rurale.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara