Driton ZENKU
Gostivar, 13 prill – Në tregun e punës në rajonin e Gostivarit vërehet profilet e shkenca natyre, kurse tepricë paraqiten profilet nga shkencat shoqërore. Nga Agjencia për punësim në Gostivar, vërejnë mungesë të drejtimeve matematikë, fizikë, kimi, biologji, inxhinier të ndërtimtarisë, informatikë (programues), psikologë, industri e drurit, tekstilit, e tjerë, ndërsa në listën e të papunëve më në numër janë juristët dhe ekonomistët, shkruan gazeta KOHA. Sipas të dhënave nga Agjencia për punësim në Gostivar, Gostivari me rrethinë numëron 6238 persona të papunë, e të cilët janë kërkues aktiv të punës. Drejtori Hisan Amzai, vëren që një numër i madh i të papunëve janë ekonomist, jurist, profesorë nga të gjitha sferat, gjegjësisht kuadro me shkollim të lartë, ndërsa mesin e tyre ka edhe 43 magjistra dhe një doktorë shkence. Profile tjera të specializuara të punonjësve që ofrohen në listën me të papunët në Agjencisë për Punësim, i cili nëse shihet mirë, thuajse nuk ekziston kuadër që mungon në tregun e punës në Gostivar.“Numri më i madh i të paraqiturve si të papunë janë nga shkencat shoqërore, nisur nga juristët dhe ekonomistët. Kemi të paraqitur një numër të konsiderueshëm të motrave medicinale”, shton ai.
Sipas udhëheqësit të Agjencisë për punësim në Gostivar, Hisan Amzai, në mesin e 6.238 personave të papunë ka edhe të atillë të cilët edhe për një dekadë janë duke kërkuar punë në mënyrë aktive. “Kemi individë që prej 10 vitesh presin punë dhe nuk mund të gjejnë. Profilet e tyre nuk gjinden në tregun e punës prandaj është rëndë të angazhohen. Për atë, ne organizojmë trajnime motivuese për tu gjendur në tregun e punës”, thotë për KOHA, Amzai, i cili thotë se tregut të punës në Gostivar i mungojnë psikologë, matematikanë, inxhinierë dhe programues. “Prej profileve që kërkohen më së shumti në tregun e punës janë të drejtimeve të shkencave natyrore, do me thënë matematikë, fizikë, kimisë, biologjisë, inxhinier të ndërtimtarisë, informatikë (programues), psikologët, industrisë së drurit, tekstilit, e tjerë”. Sipas moshës personat e papunë e të cilët janë të gatshëm të fillojnë që nesër të punojnë janë kryesisht të ri, por ka edhe të moshuar madje deri në moshën 62 vjeç. Gati 50% e të rinjve janë pa punë. Numri më i madh i të rinjve të papunë, që janë të evidentuar në Agjencinë për punësim janë të diplomuar sipas sistemit të Bolonjës. Diplomat e marra nga ky proces arsimor po paraqiten si pengesë për punësim, pasi punëdhënësit vlerësojnë se njohuritë e fituara nuk janë konkurrente në tregun e punës. Për zbutjen e situatës po realizohen një sërë projektesh që i mundësojnë të rinjve të vetëpunësohen. Ekspertët kanë kritika.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara