Laura PAPRANIKU
Shkup, 19 dhjetor – Investimet e pakta që bëhen në Maqedoni lidhur me kërkimet dhe punën shkencore, respektivisht niveli shumë i ulët që ndahet për këtë qëllim nga buxheti i Ministrisë të Arsimit dhe Shkencës (MASH), kërkohet të kompensohet disi përmes projekteve që financohen nga Komisioni Evropian, shkruan gazeta KOHA. Krahasuar me shtete tjera të rajonit, si Kosova, Shqipëria apo Mali i Zi, Maqedonia qëndron jo keq me shfrytëzimin e projekteve dhe programeve evropiane për arsimin e lartë. Madje, në këtë drejtim, MASH ka avancuar logjistikën deri në atë pikë sa ka hapur një zyrë të posaçme për promovimin e projekteve ndërkombëtare. Problem vazhdon të mbetet mungesa e kapaciteteve për të shfrytëzuar në maksimum mundësitë që ofrojnë projektet kërkimore të programeve “Horizont 2020”, “COST” apo “CEEPUS”. Por, pavarësisht kësaj, nuk mungojnë përpjekjet institucionale për të rritur ato kapacitete dhe për ta bërë Maqedoninë lider të realizmit të projekteve të financuara nga KE-ja. Këshilltari shtetëror për shkencë dhe inovacion, Bardhyl Tushi thotë se përfaqësues të MASH në kontinuitet organizojnë konferenca, takime dhe konsultime të ndryshme, me qëllim të rritjes së kapacitete të institucioneve të arsimit të lartë në realizmin e projekteve nga Programi “Horizont 2020”, “CEEPUS”, e të ngjashme. “Përveç prezantimeve të rregullta të atyre programeve, të cilat janë pjesë e punës së zyrës për promovimin e projekteve dhe inovacioneve ndërkombëtare në arsimin e lartë, kur institucionet tona shfaqin interes të informohen më në detaje për këto projekte, përfaqësues të MASH-it janë aty për t’ju dhënë ndihmesën përkatëse profesionale”, shprehet Tushi. Ai nuk është edhe shumë i kënaqur me nivelin e projekteve të cilat realizohen në Maqedoni, por thotë se Maqedonia qëndron më mirë se shtete tjera të rajonit. “Nuk jemi edhe shumë të kënaqur nga niveli i realizimit të projekteve arsimore të cilat financohen përmes programeve të ndryshme ndërkombëtare. Mund dhe duhet të bëhet më shumë në drejtim të përfitimit të atyre programeve që KE ka vënë në dispozicion të institucioneve arsimore nga Maqedonia”. Kështu sqaron këshilltari Tushi, ndërsa numëron si problem të parë mungesën e kapaciteteve të institucioneve tona për të qenë në nivelin e shteteve tjera evropiane në drejtim të shfrytëzimit të projekteve ndërkombëtare. Këto ditë është hapur konkursi për participimin e institucioneve të arsimit të larë në rrjetin CEEPUS për vitin akademik 2018/2019. Meqë Maqedonia është nënshkruese e këtij programi, institucionet tona mund të aplikojnë ose si koordinatore ose si anëtare të ndonjë projekti nga ky program, i cili ka të bëjë kryesisht me këmbimin e programeve studimore me shtetet e ndryshme nga Evropa Qendrore dhe ndonjërin prej shteteve të rajonit. Ky konkurs do të jetë i hapur deri në datën 15 janar. Ditë më parë, përfaqësues të MASH-it bënë promovimin e këtyre programeve në Universitetin e Tetovës, në prani të prodekanëve për shkencë të fakulteteve të UT-së, si dhe drejtuesve të disa sektorëve që merren me çështjet shkencore. Prorektori për shkencë i UT-së, prof.dr. Hazir Pollozhani, ka premtuar se profesorë të këtij universiteti do të angazhohen maksimalisht për tu kyçur në këto projektet e programeve ndërkombëtare dhe për të do të vihen në dispozicion të gjitha shërbimet profesionale me qëllim të ardhjes në ndihmë të profesorëve si për aplikimin ashtu dhe për realizmin e atyre projekteve. (koha.mk)