Shumë nga gjimnazet në vend që në afatin e parë janë mbushur me nxënës, ndërsa në shkollat e mjekësisë pak vende kanë mbetur për afatin e dytë. Njëjtë është edhe në shkollat publike ekonomike. Nga ana tjetër, në tregun e punës, gjithnjë e më shumë po kërkohen teknikë të makinave, ata të ndërtimit, elektricistë, saldatorë, hidraulikë, kuzhinierë e punëtorë të profesioneve të tjera
Zenel MIFTARI
Shkup, 16 qershor – Megjithë reformat arsimore, mungesa e kuadrove profesionale në shumë sektorë të ekonomisë, ka bërë që bizneset sërish të alarmojnë institucionet për ndryshimin e politikës arsimore, apo dhënien përparësi regjistrimit të nxënësit në shkollat e mesme profesionale. Janë parashikuar edhe bursa mujore për nxënësit që regjistrohen në shkollat profesionale, por sërish gjimnazet, mjekësia dhe shkollat e mesme ekonomike kryesojnë me nxënës të regjistruar, konkretisht interesimi për arsimin profesional nuk është rritur siç edhe pritej. Shumë nga gjimnazet në vend që në afatin e parë janë mbushur me nxënës, ndërsa në shkollat e mjekësisë pak vende kanë mbetur për afatin e dytë. Njëjtë është edhe në shkollat publike ekonomike.
Nga ana tjetër, në tregun e punës, gjithnjë e më shumë po kërkohen teknikë të makinave, ata të ndërtimit, elektricistë, saldatorë, hidraulikë, kuzhinierë e punëtorë të profesioneve të tjera. Megjithatë, paga e ulët në këto profesione dekurajon të rinjtë që të orientohen nga shkollat e zanatit, andaj ata preferojnë që të punësohen në administratë. Lupço Kuzmanovski, mjeshtër i hidraulikës, thotë se e ka shumë të vështirë që të gjejë të rinj që duan të punojnë këtë profesion. “Të rinjtë, tashmë e kanë të qartë se sado që të jesh mjeshtër i mirë, në këtë vend nuk mund të sigurosh një jetë të mirë. Askush nuk është pasuruar si mjeshtër, ndërkohë që të gjithë të rinjtë ëndërrojnë për një jetë më të mirë dhe duke qenë të vetëdijshëm për këtë, shmangin shkollat profesionale, ku do të mund të përvetësonin shkathtësi për një profesion të caktuar. Në tregun e punës gjithnjë e më pak kemi mjeshtër, të cilët dinë ta bëjnë punën e tyre. Kjo strategji e gabuar e shtetit do të na kushtojë shumë”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Kuzmanovski. Edhe Trajan Angellkovski, pronar i një kompanie të përpunimit të metalit, që njëherësh është edhe nënkryetar i Odës Industriale, thotë se nxënësit, që nga shkolla fillore, duhet të orientohen në drejtime, ku do të mësonin ndonjë zanat specifik.
“Në mënyrë konstante kërkojmë nga Ministria e Arsimit që në mënyrë sistematike të zgjidhë çështjen e orientimit të të rinjve në shkolla profesionale. Kjo nuk duhet të lihet në vullnetin e lirë të nxënësve dhe prindërve të tyre se në cilën shkollë të vazhdojnë mësimet, por në mënyrë strikte të përcaktohen kuotat se sa nxënës mund të shkojnë në shkollat e përgjithshme dhe sa të orientohen në shkollat e zanatit. Shteti duhet ta shohë se për cilat profile ka nevojë dhe në atë drejtim t’i orientojë politikat zhvillimore të arsimit. Ja, shembull, mua më duhen punëtorë të kualifikuar si mekanikë metalesh, por nuk i gjej dot”, thotë Angellkovski. Në treg mungojnë madje edhe kamerier. Shumë të rinj, duke parë pagat e ulëta, kanë marrë rrugën drejt Evropës, ndërsa pjesa e mbetur, edhe me të drejtë, nuk i rreken punës së kamerierit. Mungesa ndjehet më shumë në qytetet turistike siç është Ohri dhe Struga, por edhe në kryeqytet. (koha.mk)