Pritje deri në dy muaj. Ky është telashi me të cilin duhet të përballen aktualisht shumë tifozë të Juventusit të cilët duan të blejnë një fanellë origjinale të Kristiano Ronaldos nga dyqani i klubit bardhezi. Ashtu siç pritej, me mbërritjen e portugezit, ajo me numrin 7 është kthyer ndër më të kërkuarat dhe mediat italiane raportojnë se ka thyer çdo rekord të mundshëm.
E përditshmja torineze “Tuttosport” bën të ditur se brenda 60 ditëve nga mbërritja e portugezit në qytet, dyqanet zyrtare të klubit dhe ato online, kanë shituar fanella aq sa në të gjithë vitin e kaluar se bashku. Një rekord absolut dhe i pritshëm, por që ka shkaktuar kaos, sepse për momentin nuk prodhohen dot fanella sa për të përballuar kërkesat e shumta të atyre që duan të kenë fanellën e vitit të parë të Ronaldos me ngjyrat bardhezi, me pritjen që shkon deri në 2 muaj për t’u mbërritur dërgesa në vende të ndryshme në botë.
Sigurisht, ajo e Ronaldos është kthyer në fanellën më të kërkuar në Itali, por jo vetëm. Duket se edhe austriakët janë shumë të fiksuar pas tij ndaj shifrat zyrtare në këtë vend tregojnë se fanella e portugezit është më e kërkuara edhe në vendin fqinj me Italinë.