Ekonomistët thonë se Maqedonia e Veriut nuk paraqet një treg atraktiv për kompanitë ndërkombëtare për shkak të fuqisë ulëse të blerësve dhe tregut të vogël ku dhe brendet e kategorisë së mesme e kanë vështirë të punojnë me sukses
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 18 gusht – Prodhuesi suedez i mobiljeve Ikea ofron prodhimet e tij në Serbi, Greqi dhe Bullgari por jo edhe në Maqedoni. Në vitin 2013 pas mbylljes së zinxhirit të ushqimit të shpejtë McDonald’s, ato nuk u rihapën sërish, por u hap brendi tjetër i njohur King Burger si dhe brendi tjetër amerikan KFC. Gjithashtu tek nuk është prezent as rrjeti i supermarketeve gjermane Lidl, që është pjesë e Shvarc Grupe, dhe operon me më tepër se 10.000 shitore nëpër krejt Evropën, ndërsa në Serbinë fqinje ka hapur më shumë supermarkete, shkruan gazeta KOHA. Një nga zinxhirët më të fuqishëm të tregtisë me pakicë në Evropë, Spar-i austriak që para dy vitesh në bashkëpunim me kompaninë Balfin ka hapur më shumë se dhjetë supermarkete në tërë Shqipërinë, ndërsa në muajin prill të këtij viti në Beograd u hap kafiteria e parë e brendit të njohur amerikan Starbaks, që më ka hapur kafiteri të tilla edhe Greqi dhe Bullgari.
Ekonomistët thonë se Maqedonia nuk paraqet një treg tërheqës për kompanitë ndërkombëtare për shkak të fuqisë ulëse të blerësve dhe tregut të vogël ku dhe brendet e kategorisë së mesme e kanë vështirë të punojnë me sukses, e të mos flitet për brendet e shtrenjta që as mund të bëhet fjalë se do të hyjnë në tregun vendor. “Maqedonia si treg prej dy milion konsumatorë është pak e rëndësishme në hartën e korporatave të mëdha. Për të ndryshuar këtë gjendje na nevojitet rritja e standardit jetësor që nënkupton edhe rritjen e konsumit personal. Atëherë mund të pritet të jemi më atraktiv për brendet e ndryshme botërore”, thotë konsulentja e biznesit, Hristina Bojkovska.
Në ndërkohë, nga kompania Balfin që do të ndërtojë kompleksin banesor, afarist dhe tregtar Ist Gejt në hapësirat e ish Panairit të Shkupit ku do të investohen mbi 350 milion euro, është paralajmëruar se do të hapen mbi 250 dyqane me më shumë brende botërore.
Përparësi e qendrave moderne dhe të mëdha tregtare në sjelljen e brendeve është se ato shpesh bisedojnë direkt me zinxhirët global dhe ju ofrojnë kushte të volitshme me qëllim që ti tërheqin në objektet e tyre duke begatuar kështu edhe ofertën në raport me konkurrencën. Njëherazi vlerësohet se në shtetet e Evropës juglindore , hapja e dyqaneve të kompanisë Ikea si dhe brendeve të tjera, ka një rëndësi të madhe për shkak se kur një markë e njohur tregtare fillon me punë në rajon, rriten gjasat që të vijë edhe në shtetet e tjera fqinje.
“Aktualisht nuk kemi në plan që të punojmë në Bosnje dhe Hercegovinë, por kjo nuk do të thotë se nuk jemi të interesuar për këtë shtet si dhe për Maqedoninë dhe Malin e zi, por akoma nuk janë të plotësuara kushtet që të themi diçka më shumë në këtë drejtim”, deklaroi kohë më parë, drejtori për zhvillim në Evropën juglindore i IKEA, Vladisllav Laliq. Sipas tij, për momentin fokusi i tyre është i vendosur në Kroaci, Slloveni, Rumani dhe Serbi, ndërsa në të ardhmen ndoshta do të mund të flitet më shumë për hapjen e IKEA në shtetet e tjera. Ai shton më tej se kjo kompani ndërkombëtare para hyrjes në treg, po kryen analiza mjaft të ndërlikuara si demografike, ekonomike apo makroekonomike, si dhe merr parasysh edhe mjaft tregues të tjerë dhe në bazë të tyre edhe vendos për investimet e mëtejshme. Para shtatë vitesh u përfol se ekziston mundësia që IKEA të fillojë me punë në tregun e Maqedonisë së Veriut përmes përfaqësuesit nga Turqia, megjithatë diçka e tillë nuk u realizua deri më tani. (koha.mk)