Sipas të dhënave të shoqatës “Dashi” gjatë këtij viti janë prodhuar 400 ton djathë i bardh tradicional në rajonin e Dibrës. Ndërkohë që sipas blegtorëve plasmani i djathit realizohet pa problem
Vjollca SADIKU
Dibër, 14 dhjetor – Rajoni perëndimor i Maqedonisë ku tradicionalisht kopetë e dhenve kanë qenë të shumta, vitet e fundit ballafaqohet me probleme të mëdha në blegtori. Blegtorët dibran thonë se për shkak të mungesës të barinjve dhe punëtorëve tjerë ka një ulje të numrit të bagëtisë e veçmas të numrit të dhenve në këtë rajon. Kryetari i shoqatës të blegtorëve “Dashi” nga Komuna Dibër dhe Qendër Zhupë, Skënder Ame informon se aktualisht nga kullosat verore kanë migruar në kullosa dimërore mbi 20 mijë dele të blegtorëve të dy komunave. Sipas tij deri në këtë moment ata janë vendosur në fushën e Pellagonisë si dhe në afërsi të qytetit të Velesit.
“Janë këto lokalitete tradicionale ku blegtorët dibran dhe ata të Zhupës gjatë dimrit vendosin kopetë e dhenve. Shqetëson fakti se numri i dhenve në këtë rajon i cili posedon të gjithë kushtet për zhvillimin e blegtorisë është në rrënje. Para shumë dekadave disa herë më shumë ka pasur dhen, por mungesa e dorës së punës nuk jep mundësi që të bëhet rritja e krerëve të dhenve. Problem kryesor sipas tij janë barinjtë , punëtorët që përgatisin djathin por edhe mungesa e dorës të punës në bujqësi. Në një situatë të këtillë vetëm gjatë këtij viti ka një ulje të numrit të dhenve për afro 10 për qind. Sot nuk mund të gjesh barinj as me pagat të 400 eurove”, thotë kryetari i shoqatës “Dashi” Skënder Ame.
Ai më tej sqaron se një punëtor në sferën e bujqësisë e cila drejt për drejt është e ndërlidhur me blegtorin për një angazhim ditor kërkon 30 euro, se siç shprehet ai, as dhe ato s’mund ti gjesh. “Këto argumente flasin qarët për shkaqet që kanë të bëjnë me uljen e numrit të krerëve të bagëtisë”, nënvizon Ame.
Ndryshe, këtë vit blegtorët janë të kënaqur nga kualiteti i djathit të bardhë tradicional. Të dhënat e shoqatës “Dashi” thonë se gjatë këtij viti janë prodhuar 400 ton djathë i bardh tradicional. Ndërkohë që sipas blegtorëve plasmani i djathit realizohet pa problem. “Meqë bëhet fjalë për një prodhim bio për të cilin për çdo vit blerësit shprehin interesim të madh. Pjesa dërmuese e djathit shitet në Shkup kurse një pjesë më e vogël në Dibër dhe qytete të tjera të vendit. Aktualisht një kilogram djathë i bardh shitet nga 250 deri në 300 denarë. Ndërkaq djathi i bardhë dibran për kualitetin e tij ka marr shumë shpërblime në panairet e vendit, si dhe në panairet jashtë vendit.
Kryetari i shoqatës Skënder Ame i cili po ashtu është një blegtor i dalluar, disa herë duke marr pjesë në panairet në Itali dhe Turqi ka marr lëvdata të ndryshme. Nga ana tjetër, ekspertët vlerësojnë se për zhvillimin e blegtorisë në Dibër dhe rajon është i nevojshme vegjetacioni i pasur, ujërat e pastër dhe ambienti. (koha.mk)