Është një situatë tejet shqetësuese, por rrugëdalje tjetër s’ka, thonë dibranët. Por ka edhe familje që, për shkaqe financiare, nuk kanë arritur të sigurojnë as dru. Ata thonë se ngrohja është e kufizuar meqë u mungojnë sasitë e konsiderueshme e druve për të kaluar këtë sezon dimëror
Vjollca SADIKU
Dibër, 20 shkurt – Edhe këtë sezon dimëror, dibranët në pjesën më të madhe të tyre e kalojnë duke u ngrohur me dru. Një numër i vogël i objekteve amvisërie ngrohen me peleta dhe rrymë elektrike. Ngrohja në dimër tek pjesa dërmuese e familjeve bëhet vetëm në dhomat e ditës, meqë standardi i ulët jetësor nuk ua mundëson ngrohjen e të gjithë hapësirave në shtëpi apo banesat e tyre. Kështu ka qenë në dekadat e kaluara , por ashtu është edhe sot. Në bisedën që patëm me familjarë dibran, na u tha se ngrohja varet nga xhepi i kryefamiljarit. Duke marrë parasysh se standardi tek pjesa më e madhe e dibranëve është i kufizuar, ngrohja bëhet kryesisht në dhomat ndenjëse. Nexhmiu ka 62 vjet dhe na thotë se në Dibër, dimri karakterizohet me dhomat e ditës të ngrohta dhe dhomat e tjera të ftohta.
“Në dhomën e ndenjes temperaturat arrijnë afër 30 gradë celsius, por në dhomat e fjetjes, temperaturat shkojnë edhe në minus 6 celsius, ndërsa në dhomat të tjera është edhe ndër minus 10”, thotë duke qeshur Nexhmiu. Kur kemi parasysh se mbi 700 familje dibrane janë në listën e familjeve me probleme sociale, atëherë është qartë se qytetarët gjatë dimrit nuk ka mundësi e as fuqi ekonomike të ngrohin tërësisht dhomat që posedojnë. Në një situatë të këtillë, dhomat e ndenjes faktikisht gjatë dimrit kanë një koncentrim maksimal të të gjithë anëtarëve. Më rëndë për të kaluar ditën sidomos në këto ditë të pandemisë e kanë nxënësit, të cilët realizojnë mësimin onlajn, por edhe amviset.
Është një situatë tejet shqetësuese, por rrugëdalje tjetër s’ka, thonë dibranët. Por ka edhe familje që, për shkaqe financiare, nuk kanë arritur të sigurojnë as dru. Ata thonë se ngrohja është e kufizuar meqë u mungojnë sasitë e konsiderueshme e druve për të kaluar këtë sezon dimëror. Për këto familje, shoqatat humanitare në kontinuitet janë siguruar për furnizim me dru. Ka raste kur skamnorëve u dërgohen disa kubik dru për ngrohje, pa e ditur se kush janë donatorët. Bamirësit në sezonin e dimrit japin një kontribut të madh edhe këtë vit. Për familjet të cilët këtë dimër ngrohen me dru, njësia e ndërmarrjes publike Pyjet e Maqedonisë – Stogova në Dibër, në prag të sezonit bërin distribuimin e mbi 10 mijë kubikëve me dru, thotë drejtori i Njësisë Stogova, Rami Lata. Sipas tij, kjo do të thotë se mbi 70 për qind popullata ngrohet me dru. (koha.mk)