Kumanovë, 23 maj – Rajoni i Kumanovës ndonëse ngadalë po i rikthehet ritmit normal të jetës, pasojat nga pandemia, megjithatë, po vërehen gati në të gjithë segmentet ekonomikë e shoqëror. Një prej tyre është edhe transporti, i cili ka pësuar goditje të mëdha nga ndërprerja e qarkullimit të autobusëve në linjat urbane dhe ndërurbane.
Për këtë arsye, Shtabi i krizave pranë Komunës së Kumanovës i është drejtuar Qeverisë që të ndihmojë në zbutjen e humbjeve, duke subvencionuar për 30 denarë kilometrin për kompanitë që bëjnë transportin publik të qytetarëve. Kjo edhe për arsye se buxheti modest i Komunës është i limituar dhe e ka të pamundur që ti mbulojë shpenzimet e kompanive, ndaj intervenimi i Qeverisë është i domosdoshëm.
Në mungesë të transportit publik, ditëve të fundit janë vërejtur mënyra alternative të bartjes së udhëtarëve. Por, një dukuri e tillë ka hasë në reagim të autoriteteve komunale, të cilët kanë paralajmëruar se do të sanksionohen të gjitha transportet e paligjshme. (koha.mk/H.J)