Këta banorë, krahas mungesës së ujit, nuk kanë as kanalizim atmosferik dhe fekal dhe gjatë tërë kohës në këtë pjesë të qytetit të Tetovës kundërmon erë e rëndë duke rrezikuar kështu shëndetin e tyre
Urim HASIPI
Tetovë, 20 janar – Deri në muajin prill, sipas paralajmërimeve, rreth njëmijë banorë të lagjes 146 në Tetovë do të duhet që më në fund të kenë qasje në ujin e pijshëm. Ndër vite, banorët e kësaj lagje janë duke kërkuar zgjidhjen e problemit të ujit të pijshëm si problem jetik për ata. Lajmi për gazetën Koha është bërë i ditur nga Komuna e Tetovës, e cila insiston se mjetet janë siguruar nga Ministria e Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor për ndërtimin e rezervuarit të ujit për këtë lagje. “Sa i përket për ndërtimin e rezervuarit në lagjen 146 dhe filterstacionit, punët janë intensifikuar dhe pritet që të përfundojnë kah fundi i muajit prill. Po ashtu, atëherë pritet që të vendoset edhe rrjeti i ujësjellësit, për të cilin projekt presim mjetet të lëshohen nga ana e Ministrisë së Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor. Këto mjete për këtë qëllim janë miratuar në vlerë rreth 11 milion denarë”, thonë për gazetën Koha nga shërbimi për informim në Komunën e Tetovës.
Gjendja më e rëndë paraqitet gjatë muajve të verës, kur këta banorë nuk kanë asnjë pikë ujë në çezmat e tyre. Problemi më shumë u alarmua gjatë verës së vitit të kaluar, kur banorët u ankuan se pikërisht në kohën kur kanë nevojë për më shumë ujë për mbajtjen e pastërtisë gjatë kohës së pandemisë, ata përballen me mungesë të ujit të pijshëm. Këta banorë, gjatë kohës kur kanë mungesë të theksuar të ujit, zgjidhjen e kanë gjetur duke mbushur ujë me bidona në lagjen e mëposhtme, respektivisht në Çarshinë e Epërme. Këta banorë, krahas mungesës së ujit, nuk kanë as kanalizim atmosferik dhe fekal dhe gjatë tërë kohës në këtë pjesë të qytetit të Tetovës kundërmon erë e rëndë duke rrezikuar kështu shëndetin e tyre. Situata deri në këtë shkallë, sipas informacioneve, ka ardhur ngase kjo është një lagje kryesisht e re dhe e populluar pas viteve të 90-ta dhe e njëjta nuk ka as plan urbanistik. Pikërisht, kjo ka bërë që të mungojnë edhe investimet e pushteteve lokale dhe atyre qendrore në këtë lagje në sferën e infrastrukturës. Banorët e kësaj lagje tetovare shpesh herë kanë ironizuar edhe me partitë politike ngase sipas tyre votat i kërkojnë por kur ata kanë nevojë për investime marrin përgjigje se lagjja e tyre nuk ka plan urbanistik.
Komuna e Tetovës edhe vitin e kaluar kishte premtuar zgjidhje të problemit të ujit të pijshëm në lagjen 146, por megjithatë konkretisht nuk është bërë asgjë në këtë drejtim. Një problem kryesor, sipas autoriteteve lokale në Tetovë, është edhe pozita gjeografike e kësaj lagje, ngase ndodhet në pjesën e lartë sipër Arabatit Baba Teqesë, dhe punimet për rregullimin e problemit të ujit të pijshëm zhvillohen me vështirësi. Në këtë lagje ka diku rreth 700 shtëpi, kurse banorët disa herë kanë kërkuar që krahas ujit të pijshëm të ketë investime edhe në sferën e infrastrukturës. (koha.mk)