Shkup, 18 shkurt – Gjykimi për lëndën “Talir” i Prokurorisë Speciale Publike, që ka të bëjë me financimin joligjor të partisë VMRO-DPMNE është anuluar për më 7 mars për shkak të mungesës së të akuzuarit Ilija Dimovski.
Gjykatësi Osman Shabani, në fillim informon se i akuzuari Ilija Dimovski me kërkesë me shkrim nga data 13 shkurt e ka njoftuar Gjykatën se është parandaluar të marrë pjesë në seancën e sotme gjyqësore sepse si deputet dhe shef i delegacionit kuvendor në Asamblenë Parlamentare të NATO-s do të marrë pjesë në mbledhje të përbashkët të komitetëve, që do të mbahet nga data 17 deri më 22 shkurt në Bruksel.
Mbrojtësi i Ilija Dimovskit, avokati Petar Vasilev duhet ta njoftojë klientin e tij.
Në seancën gjyqësore të pranishëm ishin të akuzuarit tjerë Kiril Bozhinovski dhe Mile Janakieski, të cilët ishin përcjellë nga burgu shtëpiak, si dhe i akuzuari Leko Ristoski.
Përfaqësuese e akuzës është Lençe Ristevska nga Prokuroria Speciale Publike.
Në lëndën “Talir” të akuzuar janë Nikolla Gruevski, Kiril Bozhinovski dhe Mile Janakieski për “keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe autorizime” dhe “larje parash”, ndërsa Ilija Dimovski, Leko Ristoski dhe Elizabeta Çingarovska janë akuzuar vetëm për veprën “larje parash”. Për veprën e njëjtë, si subjekt juridik me akuzën është përfshirë edhe VMRO-DPMNE.
Elizabeta Çingarovska nuk do të dënohet sepse ajo lidhi marrëveshje me PSP-në, e pranoi fajin dhe mori dënim të kushtëzuar me burg prej dy vitesh, të cilën nuk do ta vuajë nëse në pesë vitet e ardhshme nuk bën vepër tjetër penale.
Sipas akuzës, ato në mënyrë joligjore kanë marrë së paku 4,6 milion euro për partinë, ndërsa pastaj kanë organizuar ato para të lëshohen në xhiro-llogarinë e partisë përmes fletëpagesave në emër të njerëzve të ndryshëm.
PSP parashtroi edhe një aktakuzë për lëndën “Talir” që ka të bëjë me ndërtimin joligjor të selisë së partisë.