Shkup, 5 mars – Gjykimi për lëndën “Trajektorja” që ka të bëjë me procedurën për zgjedhjen e kompanisë për ndërtimin e autostradave Milladinovc – Shtip dhe Kërçovë – Ohër vazhdon më 13 mars, pasi seanca e sotme u anulua për shkak të ndalimit të pjesëmarrjes së prokurores së PPS-së, Lile Stefanovska.
Gjykatësi Goran Boshevski, në fillim informoi se prokurorja Stefanovska e ka njoftuar përmes telefonit se nuk është në gjendje të marrë pjesë në seancën e sotme.
“Ka mundur të sigurojë zëvendësim por ka dashur ajo personalisht të marrë pjesë në lëndën”, deklaroi gjykatësi Boshevski.
Rasti “Trajektorja” e Prokurorisë Publike Speciale ndodhet në procedurë dëshmuese dhe në të të akuzuar janë ish-kryeministri Nikolla Gruevski i cili gjykohet në mungesë, ish-ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakieski, ish-zëvendëskryeministri Vlladimir Peshevski dhe ish-drejtori i NP për Rrugë Shtetërore, Lupço Georgievski.
Sipas aktakuzës së PPS-së të akuzuarit në gjysmën e dytë të vitit 2012 dhe gjatë vitit 2013 kanë ndërmarrë më shumë veprime me të cilat në procedurën për përzgjedhjen e kompanisë për ndërtimin e autostradave Milladinovc – Shtip dhe Kërçovë – Ohër i kanë shfrytëzuar dhe tejkaluar autorizimet e veta. Me këtë i kanë shkaktuar dëm Buxhetit prej së paku 155 milionë euro.