“Mungesa e personelit mjekësor është sfidë e madhe. Absolutisht të gjitha rastet e reja me Kovid19 janë nga mosrespektimi i masave”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë. Ndërsa sipas analizave të kryera nga Instituti Johns Hopkins, Maqedonia është në vendin e dytë në Evropë sipas numrit të të infektuarve në 100 mijë banorë
Destan JONUZI
Shkup, 1 korrik – Çdo ditë në Maqedoni numri i rasteve të reja dhe atyre të vdekjes nga virusi Korona është në rritje e sipër. Si rezultat i kësaj edhe nevojat e njerëzve për trajtim mjekësor po rriten, ndërkohë që kjo situatë ka ngjallur frikën për mungesën e kapaciteteve mjekësore. Nga Ministria e Shëndetësisë pranojnë se ka mungesë të personelit mjekësor, dhe kjo sipas tyre është edhe një sfidë e madhe. “Janë angazhuar të gjithë infektologët. Të gjithë në Klinikë, në spitalin “ 8 Shtatori”. Në klinikë janë 26 infektolog. Në të kaluarën një numër i vogël i të rinjve kanë shfaqur interes për këtë drejtim. 6 ose 7 prej tyre janë në moshën mbi 60 vjeçare dhe kanë sëmundje kronike, disa prej tyre as nuk janë në punë. Mungesa e personelit është sfidë e madhe. Absolutisht të gjitha rastet e reja janë nga mosrespektimi i masave”, thotë Venko Filipçe, ministër i Shëndetësisë.
Infektologët e Klinikës Infektive të cilët janë në vijnë e parë të betejës me virusin Korona, thonë se si rezultat i rritjes së numrit të të infektuarve, lodhja sa vjen e shtohet më shumë. “Apeloj deri tek të gjithë qytetarët që të respektojnë masat e ministrisë, të mbajnë maskat, të ruajnë distancën. Do të doja që të vendosin veten në lëkurën tonë, që të shohin se si është nga ana tjetër, se vërtet është e vështirë për të gjithë, si për të sëmurët, ashtu edhe për personelin, të cilët duhet që me të njëjtën ritëm të jenë të angazhuar gjatë gjithë kohës. Në katin e parë ku jam e angazhuar ndodhen rastet më të rënda, të cilët janë të varur plotësisht nga personeli”, shprehet Silvana Rogiq, infermiere.
Institucionet ende nuk kanë dhënë një sqarim nëse rritja e numrit të të invektuarve dhe vdekjeve për çdo ditë nga “Korona” është një valë e dytë e virusit. Ndërkaq, vet ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, në takimin e fundit me gazetarë trendit të rritjes së numrit të të infekturave me Kovid19 i është referuar si valë e dytë e përhapjes së virusit në vend. Në anën tjetër, Maqedonia renditet e dyta në Evropë me numrin më të madh të infektuarve në 100 mijë banorë. Sipas analizave të kryera nga Instituti “Johns Hopkins”, Maqedonia gjendet në vendin e dytë në Evropë sipas numrit të të infektuarve në 100 mijë banorë. Të dhënat janë marrë nga numri i të infektuarve në periudhën 12 deri me 26 qershor. Maqedonia ka 98 të infektuar në 100 mijë banorë dhe është e dyta pas Suedisë së ka 151 banorë në 100 mijë banorë. Pas Maqedonisë është Kosova me 47 të infektuar, Portugalia 45, Bosnja e Hercegovina, Shqipëria etj. (koha.mk)