Mungesa e motivit, kritikat dhe forma e dobët fizike – jeta e vështirë e Lionel Messi-t në Paris

Shtëpia e Messi-t nuk ka as fushë futbolli, as pishinë, dhe as kopshtin e madh që ai e shijonte në vilën lukzosë në zonën urbane të Castelldefels, 20 kilometra largë Barcelonës, me pamjen e maleve dhe detit në dy anët e shtëpisë. Gjuha, klima, shokët dhe nostalgjia për Barcelonën është gjithçka që Leo Messi-t i mungon

 

Gjashtë muaj pas largimit nga Barcelona, Lionel Messi ngjason me një futbollist jo të rregullt, pa rritëm, me kapacitet të ulet dhe paaftësi për të gjetur rrugën e rrjetës. Leo Messi udhëtoi javën e kaluar nga Paris-i në Barcelonë për të darkuar me Jordi Alba-n dhe Sergio Busquets, dy miqtë e tij më të mirë në skuadrën katalunase. Gjatë vizitës në Barcelonë, rastësia e takoi me Xavi-n, trajnerin e klubit katalunas që ishte duke e festuar ditëlindjen e tij të 42-të. Gerard Pique nuk ishte i pranishëm, marrëdhënia me të cilin është ftohur që nga largimi i argjentinasit nga “Camp Nou”. Darka, ku ishin të pranishme edhe gratë e tyre, shërbeu për të shprehur se si është gjendja aktuale – asnjëri në më të mirën e tyre. Barça nuk po e gjen shpirtin luftarak, ata u eliminuan nga Champions League, Superkupa e Spanjës dhe Kupa e Mbretit në një periudhë 50 ditore, poashtu ata janë në luftë për një vend në ‘top 4’ të La Liga-s. Kriza e Barcelonës, padyshim e shqetëson edhe Lionel Messi-n. Messi ishte i gatshëm të komentonte sa e vështirë është përshtatja në një shtet, klub dhe rreth tjetër. Ai kaloi 21 vite te Barcelona dhe largimi traumatik nga ‘shtëpia’ ka pasur një efekt të qartë në argjentinasin. Ai u ndje i tradhëtuar nga Laporta, të cilit i drejtohet gishti si fajtori për largimin e La Pulga-s. Lionel Messi duket se nuk po gjen motivin e duhur te Paris Saint-Germain. Ndryshimi është i vështirë dhe po kushton më shumë se ç’pritej në jetën e një futbollisti 34-vjeçar plot eksperiencë. Ky është konstatimi real që mund të nxjerrët nga paraqitjet nën mesataren të Lionel Messi-t me skuadrën e tij të re. Gjashtë muaj pas largimit nga Barcelona, ai është një lojtar jo i rregullt në ndeshje, pa rritëm, me kapacitet të vogël për të bërë ndryshim, dhe mbi të gjitha paaftësi për të arritur deri te goli. Siç duket, momenti i vetëm i lumtur i Messi-t te PSG, është dita kur largohet për të shkuar në Argjentinë me kombëtaren. Në Paris, ai transmeton paaftësi për t’u bashkuar me skuadrën, paqartësi dhe shpesh herë ngurrim që të jetë fokusi kryesor. Ka kaluar mjaftueshëm kohë për të qenë një futbollist i përkushtuar, i motivuar dhe lider – por kjo nuk po ndodh me Lionel Messi-n dhe një tjetër gabim erdhi.

 

DËSHTIMI NË KUPËN E FRANCËS

Advertisements

Goditja në Kupën e Francës konfirmon problemet me de motivimin, krah problemeve futbollistike, për Lionel Messi-n. PSG u eliminua në raundin e të 16-ave të Kupës së Francës, në “Parc Des Princes” me penallti nga Nice. Ishte kjo dita që Messi për herë të parë e veshi numrin dhjetë me PSG-në, duke ndryshuar numrin 30 që zakonisht e bartë. Messi, sikur ekipi i tij, i zhgënjyer. Por, më shumë u prit prej tij, u prit se ai do të nxirrte shokët e skuadrës nga situata e vështirë, u prit se ai do të nxiste aksione të rrezikshme për gol, që ai do të luante me më shumë pasion dhe dedikim. Por kjo nuk duket se po i vjen Messi-t, nuk po i vjen sepse loja e tij nuk është shumë fluide, ka nevojë për inspirim, është në gjendje të keqe fizike që të futet në duele një për një dhe t’i shmangë kundërshtarët me shpejtësi dhe ndryshim të lëvizjes. Messi luajti të gjithë ndeshjen përballë Nice, të parën që e nisi nga fillimi në vitin 2022. Gjatë gjithë takimit, ai kishte vetëm një goditje në portë – e lehtë dhe drejtë në duart e portierit. Ky version i Messi-t, që nuk është i sigurt në pasime, goditje dhe driblime, ka shkaktuar zhgënjimin e parë të madh në Paris. Media pa dyshim pyet se çfarë po shkon gabim me Messi-n dhe i vlerëson paraqitjet e tij me nota të ulëta. “Është hija e vetvetes, nuk po e gjen shkëlqimin e dikurshëm”, janë disa nga kritikat. Messi ka luajtur vetëm një ndeshje e gjysmë në janar. Ai luajti pjesën e dytë përballë Reims në Ligue 1 dhe pastaj ishte aktiv në eliminimin nga kupa. Statistikat e tij janë jo të mira: 18 ndeshje, vetëm gjashtë gola dhe katër asistime. Ai ka shënuar vetëm një gol në ligë derisa ka pasur një formë relativisht më të mirë në Champions League. “Është realiteti i hidhur i Messi-t, realiteti i një futbollisti pa vazhdimësi dhe pa elementin e surprizës”, janë disa nga titujt në media. Ai po i zhgënjen tifozët e Paris-it, mirëpo klubi kërkon durim edhe pse eliminimi nga kompeticionet nuk është fare gjë e mirë. Messi nuk mund të synojë më tripletën me PSG-në, por problemi i vërtetë është fakti që klubi francez vetëm pas dy jave e pret Real Madrid-in në formë në kaudër të raundit të 16-ave në Champions League.

 

PASOJAT E COVID-19

Messi është një protagonist negativ i paraqitjeve nën mesatare që ai po shfaq. Të gjithë pritën që janari të jetë muaji ku ai shfaq përmirsim dhe përkushtim, por ai po vuan pasojat e stërvitjes së dobët dhe të pakët pas infektimit me COVID-19 në Argjentinë gjatë pushimeve të krishtlindjeve. Imazhet që u paraqitën në rrjetet sociale, ishin ato të Messi-t dhe gruas së tij duke kënduar dhe kërcyer pa asnjë masë që të mbron nga virusi. Kthimi i tij në Paris u shty për shkak të testimit pozitiv dhe viti filloi keq për të pas eliminimit në Kupën e Francës, eliminim ky që ndezi alarmin. Lionel Messi nënshkruajti një kontratë dy vjeçare me mundësi rinovimi për një vit tjetër me Paris Saint-Germain, me një pagë prej 40 milionë eurosh në vit – më e larta në botë. Klubi francez bëri gjithçka për t’ia lehtësuar përshtatjen – një shofer që e dërgon në stërvitje, një tjetër për familjen e tij, një mësues privat për të, Antonelën dhe fëmijët që të mësojnë gjuhen frënge. Familja filloi jetën në qytetin e dashurisë në një hotel luksoz në qendër dhe pastaj u zhvendos në zonën metropolitane, në një shtëpi të madhe dhe afër shokëve të tij, Angel Di Maria dhe Leandro Paredes. Shtëpia e Messi-t nuk ka as fushë futbolli, as pishinë, dhe as kopshtin e madh që ai e shijonte në vilën lukzosë në zonën urbane të Castelldefels, 20 kilometra largë Barcelonës, me pamjen e maleve dhe detit në dy anët e shtëpisë. Gjuha, klima, shokët dhe nostalgjia për Barcelonën është gjithçka që Leo Messi-t i mungon. Është një tjetër moment i keq në karrierën e La Pulga-s. Tani fillon faza vendimtare e sezonit, fazë kjo në të cilën luftohet për titujt e mëdhenj. Synimi kryesor i familjes mbretërorë të Katarit, drejtuesve të PSG, është triumfi në Champions League – dhe për këtë është nënshkruar Messi, dhe futbollistë si Sergio Ramos, Achraf Hakimi dhe shumë të tjerë. Padyshim që nuk mund të ulet poshtë Messi, për shkak se ajo çfarë ka bërë ai për futbollin është përtej të pabesueshmes, por kjo nuk e ndryshon faktin që deri tani aventura e tij në Paris ka qenë një dështim. Se sa vlerësohet Messi nga të tjerët, e thotë shumë mirë rivali i tij, Karim Benzema. “Nuk mund ta kritikojmë Messi-n”, thotë sulmuesi francez, “ata që e bëjnë nuk dijnë asgjë nga futbolli”. Synimi i argjentinasit duhet të jetë arritja e formës më të mirë nga tani deri te ndeshja me Real Madrid-in, ai ka kohë mjaftueshëm që ta bëj. Diçka që nuk i ndihmon, është fakti se Messi duket se nuk po e shijon futbollin në fushë. Ky është edhe shqetësimi më i madh i Pochettino-s, trajnerit argjentinas, që aktualisht po e merr fajin më të madh që nuk po e nxjerrë formën më të mirë të Messi-t dhe nuk po e gjen stabilitetin në një skuadër plot yje. Lionel Andres Messi duhet të veprojë shpejtë, ndryshe, aventura e tij në Paris gjithmonë do të mbetet njollë e madhe në pretendimet se ai është më i miri i të gjitha kohërave. (albanianpost)