Athinë, 10 shkurt – Frika dhe parandalimi i gripit sezonal dhe kryesisht koronavirusit, kanë mbushur farmacitë në Athinë, duke rezultuar me mungesë të maskave mjekësore. Ato janë blerë nga grekët, por shumë më tepër prej turistëve, shumica e tyre nga Kina, si për përdorim në aeroporte ashtu edhe për t’i çuar ato në Kinë.
Farmacitë nuk kanë maska
Pronarët e farmacive komentojnë se në periudhën e kaluar janë ballafaquar me kërkesë veçanërisht të lartë. Turistët kinezë, pas disa ditësh qëndrim në Greqi, largohen për në shtëpi me pako prej 30-50 maskash dhe për më pak se katër orë në një farmaci shpenzohen 10 pako.
Një çift turistësh kinezë që udhëtuan për në Athinë blenë një kuti të tërë me 25 maska. Ata zgjodhën të paguanin 65 euro dhe në vend të maskave të zakonshëm blenë maska kundër Ebolës, të cilat siç deklaroi farmacistja për MIA-n, janë për përdorim treditor.
Përshëndetje, a mund të blejmë maska? ”, pyetën kinezët, të cilëve farmacistja u sqaroi se maska konkrete kishin mbrojtje më të madhe dhe ishin për Ebolën.
“Kina nuk ka maska të mjaftueshme, kështu që ne i blejmë këtu. Po kthehemi në Kinë. Me siguri që do të mbajmë maska edhe në aeroport”, shpjegon çifti bashkëshortor.
Në një farmaci tjetër, një turiste kinez, përveç maskave, kërkoi të blinte një termometër termal nga ato që përdoren në aeroporte për të kontrolluar pasagjerët. Për t’u kuptuar me farmacistin, ajo i tregoi një foto në celularin e saj me një mesazh të dërguar nga familja e saj në Kinë.
“Unë jam duke ardhur nga Santorini dhe ky termometër ishte në farmacitë e atjeshme,” tha turistja kineze.
Fatkeqësisht, farmacia nuk kishte një termometër termik, kështu që kinezja u largua vetëm me maska. Por para se të largohej, ajo i kërkoi farmacistit të shpjegonte se si përdoren dhe vendosën maskat kirurgjikale dhe bleu një pako të plotë me 50 copë.
“Z. Antonis, maskat tona kanë mbaruar. Duhet të porosisim, i tha i punësuari pronarit të farmacisë pasi turisti bleu pakon e fundit.
“ Tani po flisja me magazinierin, u përgjigj pronari dhe në bisedë me korrespondenten e MIA-s nga Athina, sqaroi se ata e kanë të vështirë të gjejnë maska për të furnizuar farmacinë.
“Ka vështirësi për tu furnizuar. Askush nuk priste një kërkesë të tillë. Kinezët blejnë pako të tëra. Nuk blejnë një ose dy maska. Ato i dërgojnë në Kinë ose i blejnë që këtu për t’i çuar në Kinë”, thotë ai.
Një farmaci e vendosur në një nga vendet më turistike të Athinës ka një javë që nuk ka asnjë maskë mjekësore, as më të lirë dhe as më të shtrenjtë.
“Ata blejnë aq shumë sa nuk kam më. Ka një javë që pres të më sjellin”, thotë pronarja e farmacisë.
Farmacitë e tjerë në qendër të Athinës, të vizituara nga korrespondentja e MIA-s, kanë maska por nuk kanë shumë mundësi të zgjedhin.
Maska mjekësore, megjithatë, blejnë jo vetëm turistë nga Kina, por edhe grekët. Kërkesa, thonë pronarët dhe të punësuarit e farmacive, është rritur në mënyrë të pakrahasueshme që nga viti i kaluar, por grekët nuk blejnë pako të tëra, por një ose dy maska.
Në transportin publik në Athinë, veçanërisht në metro, është bërë gjithnjë e më e zakonshme mbajtja e maskave. Disa thjesht duan të mbrojnë veten kundër gripit sezonal, të tjerët kanë frikë nga koronavirusi.
Farmacistët thonë se nuk ka rritje të çmimeve në barnatore dhe ato shkojnë nga 20 cent deri në 4 euro, varësisht nga cilësia e maskës.
Mbishkrime në gjuhën kineze në barnatore
Nuk janë të rralla gjithashtu as farmacitë që kanë një mbishkrim në gjuhën kineze në derën e hyrjes. Një farmaci e tillë u vizitua nga korrespondentja e MIA-s nga Athina, dhe megjithëse sqarimi ishte se pronari dëshironte të informonte klientët kinezë se kishte ose nuk kishte maska, mesazhi ishte ndryshe i njoftonte që të mos hynin në farmaci në grupe.
“Lejohet hyrja në farmaci vetëm për një person”, shkruhet në gjuhën kineze në derën e përparme.
Pronari sqaron se ai ka ndërmarrë një hap të tillë sepse “brenda në farmaci hyn një grup i tërë prej 10 ose më shumë personash” dhe komenton se ndoshta njëri prej tyre mund të jetë i sëmurë, dhe ai vetë mban një maskë mbrojtëse.
Federata e Punonjësve të Spitalit Shtetëror: Kostoja e maskave është rritur për 300 për qind
Federata greke e Punonjësve Publikë akuzon për përfitime, respektivisht se për shkak të mungesës së maskave mjekësore, kostoja e maskave në spital është rritur për 300 për qind.
Ata gjithashtu publikojnë një faturë në mbështetje të konfirmimeve të tyre. Ata thonë se maskat e zakonshme kushtojnë 0.0116 euro plus TVSH dhe tani janë 0.032 plus TVSH. Ndërsa maska me mbrojtje të lartë prej 0.64 EUR + TVSH tani janë 2 EUR + TVSH.
“Kostoja e blerjes së maskave të zakonshme kirurgjikale dhe maskave me mbrojte të lartë është rritur për 300 për qind për shkak të rritjes së nevojës në ditët e kaluara. Kjo vlen për spitalet që blejnë maska në bazë të kontratave ose spitalet që nuk kanë kontratë dhe ato janë të numërta”, tha Federata.