Spitalet dhe ordinancat në Maqedoni vuajnë mungesën kadrovike të specializuar, ndërkohë që Ministria e Shëndetësisë në bazë të analizës dhe nevojave, siguron se do të planifikojë punësime të reja. Kërkohet edhe një Odë e motrave medicianale
Delvina KËRLUKU
Shkup, 28 prill -Nuk është i paktë numri i infermierëve dhe mjekëve, të cilët në mungesë të perspektivës në vendlindje, po detyrohen të dalin jashtë vendit, ku edhe po gjejnë perspektivë dhe trajtim më dinjitoz, shkruan gazeta KOHA. Për rrjedhojë shumë spitale dhe klinika në Maqedoni nuk po arrijnë të plotësojnë vendet e zbrazëta me kuadro të përgatitur. Njëri prej tyre është edhe Spitali i sëmundjeve të mushkërive tek fëmijët në Kozle, Shkup, i cili ka nevojën për specialistë të pediatrisë, për infermierë, laborantë, teknikë medicinal etj.
“Për momentin ne kemi nevojë për punësimin e 20 infermiereve, tre mjekëve pediatër, tre mjekëve të praktikës së përgjithshëm, disa teknikëve mjekësorë, laborantëve dhe të punonjësve administrativë. Meqë spitali ynë ka specifikat e veta, ne kemi nevojë edhe për pajisje moderne, dhe këtë arritëm ta sigurojmë përmes donacioneve”, thotë për gazetën KOHA, Angelço Andonovski, drejtor i Spitalit të sëmundjeve të mushkërive të fëmijëve, në Kozle.
Po ashtu, edhe spitali i Tetovës ka mungesë të kuadrit të mjekëve, ndërkohë që këtë shqetësim e ngrenë edhe klinika të tjera brenda vendit, por, edhe shoqatat e motrave medicinale, teknikëve, mamive dhe stomatologeve.
Drejtori i spitalit të Tetovës, dr. Florim Besimi, thotë për gazetën tonë se ka mungesë të kuadrit mjekësor në këtë spital dhe se janë në pritje të lejes nga Ministria e Shëndetësisë, e Financave dhe Fondi i Sigurimit shëndetësor, për hapjen e konkursit për pranimin e kuadrove të munguar.
“Në spitalin tonë kemi nevojë për motra medicinal dhe për mjek, kurse ndërkohë presim kthimin e 70 specialistëve, të cilët do të plotësojnë boshllëkun në disa reparte të spitalit, sidomos në disa drejtime që kanë munguar deri më tani”, shprehet dr. Besimi, i cili është optimist se ky problem do të tejkalohet pasi të hapet konkursi.
Një fokusim mbi problemet që kanë punonjësit e shëndetësisë, vjen edhe nga Gostivari. Shoqata e motrave medicinale, teknikëve, mamive dhe stomatologeve të këtij qyteti ka ngritur zërin për rritjen e pagave te mjekët dhe infermierët, por edhe për ngritjen e cilësisë në punë. Nga kjo shoqatë kërkojnë që në Maqedoni të ketë një odë të motrave medicianale në suaza ligjore.
“Problemi kyç sipas mendimit tim është çështja financiare, si dhe rregullimit jo adekuat të kualifikimit të kuadrit mjekësor, pra të shkollimit të mesëm dhe atij të lartë. Ne si shoqatë bëjmë përpjekje që të mos na ikin infermierët jashtë vendi, duke favorizuar koeficientin e personelit. Është më se e natyrshme që 300 euro page mujore s’janë asgjë për infermierët ose 500 euro – për mjekët. Ne kemi arrit që në nivel republikan të mblidhemi 7 shoqata, duke përfshirë Shkupin, Tetovën, Gostivarin, Strugën, Dibrën e me radhë dhe të formojmë unionin e shoqatave, me ç’rast kemi mbajtur takime edhe me sindikatën e mjekëve. Kërkesat tona janë: rritja e pagave dhe rritja e cilësisë ose profesionalizmit”, thotë për gazetën KOHA, dr.Xhevat Saliu, nga Shoqata e motrave medicinale, teknikëve, mamive dhe stomatologeve, për gazetën “Koha”. Edhe në Ministrinë e Shëndetësisë, vërehen mungesa të kuadrit, ku sipas kësaj ministrie planifikohen të punësohen punëtorë të rinj.
Sa i përket punësimeve dhe angazhimeve të reja, Ministria e Shëndetësisë bën të ditur se është në proces procedura për përgatitjen e sistematizimit të ri të vendeve të punës dhe në bazë të analizës dhe nevojave do të planifikohen punësime të reja. (koha.mk)