Mungesa e gjumit çon tek mendimet për vetëvrasje!

Shkencëtarët amerikanë kanë gjetur se sasia e gjumit më pakë se gjashtë orë gjatë natës trefishon mendimet për vetëvrasje te të rinjtë e moshës nga 13 deri në 19 vjeç.

Gjatë studimit, rezultatet e të cilit janë publikuar në revistën “JAMA Pediatrics”, janë përdorur të dhënat e Hulumtimit i Sjelljeve të Rrezikshme te të Rinjtë të kryer në mes të shkurtit të vitit 2007 dhe majit të vitit 2015. Në studim, pjesëmarrësit janë ndarë në tre grupe, persona që flenë tetë orë ose më shumë, shtatë orë dhe gjashtë orë ose më pak, ndërsa janë analizuar sjelljet e konsideruara si shumë të rrezikshme te këto grupe.

Në studim u konstatua se të rinjtë që flenë më pak se gjashtë orë në natë, në krahasim me ata që flenë tetë orë ose më shumë, kanë tre herë më shumë sjellje të rrezikshme, siç janë mendimet për vetëvrasje, planifikimi ose tentativa për vetëvrasje.

Studimi ka analizuar edhe sjellje të tjera të rrezikshme, siç janë drejtimi i makinës në gjendje të dehur, përdorimi i alkoolit, duhanit dhe lëndëve narkotike, si dhe agresiviteti. Ndryshe, Hulumtimi i Sjelljeve të Rrezikshme te të Rinjtë ka treguar se mbi 70 për qind e të rinjve të shkollave të mesme flenë më pak se tetë orë.