Shkup, 14 janar – Mungesa e kuadrit profesional të kualifikuar është faktori kryesor kufizues për t’u arritur rezultate më të mira në ekonomi edhe pse ndikim të madh kanë edhe kërkesa e pamjaftueshme në tregun vendor dhe të huaj, vlerësojnë kompanitë anëtare të Odës Ekonomike të Maqedonisë. Parashohin në periudhën e ardhshme të jetë relativisht stabil, me gjendje të volitshme ekonomike, por theksojnë se mungesa e kuadrit profesional është duke bërë probleme serioze.
“Tendencat afariste për 11 muajt e parë të vitit të kaluar definitivisht tregojnë se mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar me 28,6 për qind është faktori më i madh kufizues për zhvillimin e ekonomisë vendore, pas së cilës pasojnë kërkesa e pamjaftueshme vendore me 16,2 për qind dhe kërkesa e pamjaftueshme e huaj me 15,7 për qind. Prandaj duhet të punohet në të gjitha aspektet që të sigurohet fuqi punëtore e kualifikuar për ekonominë, nëse duam të marrim rezultate më të mira kundrejt asaj që tashmë është trend pozitiv prej vitit 2018”, theksoi Daniella Mihajllovska Vasilevska nga Oda Ekonomike e Maqedonisë në konferencën e sotme për shtyp.
Boris Trimçev nga Oda Ekonomike theksoi se qëllimi kryesor i Odës është vendi të shkojë drejt sistemit dual të arsimit profesional, si edhe të vendoset, në kontekst të mësimit të përjetshëm, sistem për validitet të mësimit joformal dhe informal dhe certifikimin e personave të cilët kanë fituar njohuri, aftësi dhe kompetenca gjatë jetës, ndërsa nuk kanë marrë vërtetim përkatës valid që njihet në tregun e punës.
Nga Oda rekomandojnë që të ndërtohen mekanizma të fuqishme të cilat do ta përforcojnë edhe përmirësojnë mbështetjen financiare të nxënësve gjatë shkollimit të tyre që të rritet atraktiviteti i arsimit profesional, të përmirësohet puna praktike e nxënësve si në shkolla ashtu edhe tek punëdhënësit në kushte reale. Vlerësojnë se është e nevojshme të vihen edhe masa stimuluese për sektorin e biznesit për përfshirjen më të madhe të tij dhe bashkëpunimin me shkollat e mesme, masa stimuluese për nxënësit, por edhe mundësi për shpërblimin e nxënësve të cilët marrin pjesë në krijimin e të ardhurave përmes ekonomive shkollore, si edhe përmirësimin e gjendjes së shkollave profesionale me laboratorë, punëtori, objekte vrojtuese, pajisje dhe material harxhues.
Ai tha se ka kompani të cilat ofrojnë bursa për nxënësit në pjesën e arsimit të mesëm profesional, por shtoi se Oda dëshiron të vendos ndryshime sistematike, dhe jo ad-hok zgjidhje të cilat ofrojnë rezultate afatshkurtra në treg.
Mungesë më të madhe të kuadrit të kualifikuar të punës në vend ka në profesionin metalik, veprimtaritë shërbyese në sferën e turizmit dhe në sektorin e TI-së, profesionin makinerik dhe ndërtimor.