Bujar KURTAJ
Shkup, 16 shkurt – Skuadra e Shkëndijës nga Tetova nuk shfrytëzoi dot faktorin fushë për të vendosur ndoshta përfundimisht garën për titullin kampion në Maqedonisë. Kuqezinjtë e nisën me një barazim 1-1 sezonin pranveror pasi në stadiumin e qytetit në Tetovë u ndalën nga rivalët e Vardarit, duke prishur një ecuri prej gjashtë fitoresh radhazi në kampionat. Megjithatë edhe barazimi mund të konsiderohet një rezultat pozitiv për djemtë e trajnerit Qatip Osmani, të cilët ruajtën epërsinë prej tetë pikësh ndaj Vardarit edhe pas javës së 19-të.
Cekim të parët në epërsi erdhën mysafirët me golin e Gërnçarov, ndërsa sulmuesi Besart Ibraimi në minutën e 86-të barazoi rezultatin në 1-1, ndërsa i njëjti futbollist kishte edhe një mundësi ideale në minutën e 89-të, kur nuk arriti të shënojë nga një pozitë ideale.
Ndryshe, Ibraimi për gazetën KOHA, thotë se ndeshja ka qenë e bukur, por pranon se i vjen keq që nuk kanë arritur ti gëzojnë tifozët me fitore. “Ndeshje e bukur që na len përshtypje shumë pozitive në aspekt të ambientit të bukur të krijuar nga publiku dhe mbështetjes së madhe që kishim nga tribunat. Normal na vjen keq që nuk mundëm ti gëzojmë me fitore, por në anë tjetër reagimi i tyre pas ndeshjes na bën të besojmë se mbetën të kënaqur me lojën tonë dhe se fati nuk ishte me ne kësaj here”, thotë për KOHA, Ibraimi.
Ai pranon se fati në këtë përballje derbi nuk ka qenë në anën e tyre. “Nuk dua të tingëllojë si alibi për mungesën e fitores, por ne bëmë më të mirën dhe mendoj se vetëm mungesa e fatit sportiv bëri mos të fitojmë. Mjafton të shihni përmbledhjen e shanseve dhe gjithçka është e qartë”, shtoi më tej sulmuesi kërçovar.
Në fund Ibraimi tha se tetë pikë epërsi janë një përparësi e mirë. “Po realisht mendoj se tetë pikë janë përparësi e mirë që na vendos në pozitë ideale pasi gjithçka është në anën tonë. Nëse ne do të jemi në nivelin tonë, besoj se nuk do të kemi problem të ruajmë vendin e parë”, përfundoi Besart Ibraimi, goleadori i kuqezinjve nga Tetova. Ndërkohë, futbollistët nuk do të kenë shumë kohë për pushim, pasi të dielën ata i pret një përballje tjetër e vështirë, ku në stadiumin “Boris Trajkovski” në lagjen Maxhari, do të jenë mysafir i FC Shkupi, skuadër kjo e cila në javën e parë të sezonit pranveror, demoloi skuadrën e Akademija Pandev me rezultatin e thellë 5-2.