Nirvana me sy të zi dhe zotëri Isa, dy deve të gjinisë mashkullore nga provinca perëndimore Aydin e Turqisë, të veshura me shalë shumëngjyrëshe, u sollën përreth terrenit me pronarët e tyre dhe më pas u përleshën ashpër, ndërsa mijëra tifozë brohoritnin. Ata po konkurronin si pjesë e 80 çifteve ose 160 deveve në Festivalin e Mundjes së Devesë në Efes Selcuk, festivali më i madh dhe më prestigjioz i këtij lloji, i cili festoi të dielën 40-vjetorin. Vendi i mundjes së deveve është disa kilometra larg nga Efesi, vendi i rrënojave të lashta greke. Festivale të tilla por dukshëm më të vogla, mbahen edhe në provincat e Egjeut dhe Mesdheut të Turqisë.
Lojërat zhvillohen gjatë sezonit të çiftëzimit të deveve. Për shkak se meshkujt janë më agresivë gjatë kësaj kohe, veçanërisht kur u ndalohet çiftëzimi, ata janë të përgatitur për të luftuar. Sistemi i rezultateve është i komplikuar për të huajt, por një deve që e detyron kundërshtarin të bërtasë, të ikë, të bjerë ose të shtyjë shalën e qëndisur në tokë fiton. Spektatorët dhe fansat shijuan këtë ditë të ftohtë e me diell dhe muzikë, vallëzime tradicionale, skarën me sallam dhe mish deveje, teksa pinin “qumësht luani – raki turke me shije kanelle. Një ditë më parë, devetë parakaluan në një spektakël bukurie, të zbukuruara me rruaza shumëngjyrëshe, pëlhura, kambana dhe flamuj turq. Një juri i gjykoi, ndërsa po kalonin nëpër qytet.
Federata për Kulturën e Devesë dhe Mundjen e Deveve thotë se nuk ka një datë të saktë se kur filloi tradita në Anadoll, por mendohet se daton në shekullin XIX midis grupeve nomade konkurruese. Grupet e të drejtave të kafshëve thonë se mundja me deve duhet të ndalohet dhe përbën abuzim ndaj këtyre kafshëve. Edhe pse ligji i Turqisë për mbrojtjen e kafshëve ndalon luftimet e kafshëve dhe një amendament verën e kaluar prezantoi dënime financiare dhe dënime me burg, ai lejon shfaqjet tradicionale folklorike pa dhunë. Oda e Avokatëve të Stambollit kritikoi ligjin për mosndalimin e mundjes së deveve, duke thënë se është festival tejet i dhunshëm dhe nuk ka aspak rrënjë folklorike.