Sipas prokurores Fetai, zhvillimet e fundit rreth rastit “Zhvatja” janë një tregues i mirë se çdonjëri që e ka shkelur Ligjin duhet të bartë përgjegjësi dhe se përgjegjësia penale e njërit prej prokurorëve të PSP-së nuk mund të jetë arsye për mbulimin e krimit i cili paraprakisht është bërë në shtetin tonë
Omer XHAFERI
Shkup, 23 gusht – Edhe pas burgosjes së Katica Janevës, Prokuroria Speciale Publike do të vazhdoj me procedimin e lëndëve në Gjykatën Penale të Shkupit. Prokurorja speciale Fatime Fetai, këtë deklaratë e dha para fillimit të seancës për rastin “Monstra”, e cila nuk u zhvillua pasi që anëtari i Trupit gjykues, Ognen Stavrev është në pushim mjekësor. Sipas prokurores Fetai, zhvillimet e fundit rreth rastit “Zhvatja”, janë një tregues i mirë se çdonjëri që e ka shkelur ligjin duhet të bartë përgjegjësi.
ASKUSH NUK ËSHTË I PAPREKSHËM
“Ajo çka ndodhë se fundmi tregon se askush nuk është i paprekshëm. Mendoj se punët po ecin në drejtim pozitiv. Megjithatë, përgjegjësia penale e njërit prej prokurorëve të PSP-së nuk mund të jetë arsye për mbulimin e krimit i cili paraprakisht është bërë në shtetin tonë. Ne nuk do ta ndalim këtë luftë. Ekipi i PSP-së është plotësisht i përkushtuar në luftën për drejtësi dhe ne vazhdojmë me punët tona, pra përfaqësimin e lëndëve në Gjykatë”, tha prokurorja Fetai. Votimi i Ligjit për prokurorinë speciale publike në vitin 2015 për herë të parë pas pavarësimit të Maqedonisë së Veriut krijoi në institucion (prokurori) për ndjekjen e krimit financiar, i cili deri më tani funksionon jashtë sistemit prokurorial të vendit. Nëse kryeprokurori i shteti dhe shefat e prokurorive tjera sipas dispozitave ligjore përgjigjen dhe shkarkohen nga Këshilli i Prokurorëve Publike (KPP), Ligji për PSP i dha Janevës një mundësi ekskluzive që ajo të përgjigjet apo shkarkohet vetëm nga Parlamenti. Por, askush nuk e kishte menduar se para fillimit të mandati të saj shefja e PSP-së, Katica Janeva do të përfundoj në paraburgim nën dyshimin e “keqpërdorimit të detyrës zyrtare”.
RËNIA E JANEVËS, A ËSHTË EDHE RËNIE PËR PSP-në?
Profesoresha universitare Mirjana Najçevska, duke folur për gazetën KOHA, rreth zhvillimeve të fundit në PSP, thotë se propozimi i kryeprokurorit Lubomir Joveski, që në kryer të PSP-së, të caktohet një ushtrues i detyrës ka bazë ligjore. Neni 1 i Ligji për PSP-së, siç shprehet profesoresha Najçevska, i qartëson të gjithë dilemat rreth kësaj çështje. Në këtë dispozitë ligjore parashihet se gjithçka që nuk është e rregulluar me Ligjin e PSP-së, do të rregullohet me dispozitat e Ligji për prokurorinë publike. Megjithatë, problemi sipas saj qëndron më tepër në aspektin juridik të ngjarjeve në Prokurorinë Speciale Publike. “Të gjithë prokurorët special në PSP janë përzgjedh nga Katica Janeva. Këtu kemi një ekip i cili sipas hierarkisë, ka qenë i lidhur ngushte me Katica Janevën. Nëse diçka ka vepruar Janeva, thjeshtë është e pamundshme që askush nga prokuror me përvojë mos të kishte parë apo mos të vërejtur. Nëse ato nuk kanë parë asgjë, atëherë kemi problem me kapacitetin e tyre profesional. Ndërkohë, nëse kanë parë dhe kanë heshtur, atëherë kemi problem me kapacitetin e tyre moral dhe etik. Dmth. sipas meje, kur bie shefi i PSP, bie e gjithë PSP-ja. Mendoj se ushtruesi i detyrës shef i ri i PSP-së duhet të caktohet nga jashtë (jo nga prokurorët aktual të PSP-së)”, thotë profesoresha Najçevska. Ndryshe, vet dispozitat aktuale PSP-së që i japin një status të posaçëm, tregojnë se janë dhjetëra kërkesat për përjashtim të prokurorëve special, gjegjësisht vetë shefes së PSP-së, të cilat asnjëherë nuk u pranuan. Kështu ndodhi edhe në seancat e fundit të lëndës “TNT” dhe “Titanik3”, me çka kërkesa për përjashtim të Katica Janevës nuk u procedua fare, respektivisht u cilësuan si të pabaza.