Mund të pësojnë projektet infrastrukturore

Ekspertët ekonomik propozojnë që krahas rishikimit të buxhetit, të ketë përgjegjësi edhe për ata funksionarë që nuk kanë kontribuar aspak për realizimin e detyrave, por edhe për ata të cilët duhet të realizojnë projektet kapitale. Qytetarët kanë të drejtë të dinë se pse realizmi i buxhetit po shkon keq sidomos sa i përket investimeve kapitale

Zejnulla VESELI

Shkup, 16 maj – Derisa ministri Financave shpreson se deri në fund të këtij viti do të ketë rritje ekonomike, të dhënat e fundit për buxhetin vitit 2019, megjithatë, tregojnë se kemi realizim jo të kënaqshëm të të hyrave tatimore për tre muajt e parë, sidomos në fushën e investimeve kapitale. Pikërisht për shkak dështimit të investimeve kapitale, kryeministri Zoran Zaev kërkon nga ministri i Financave Dragan Tevdovskia të përgatit propozim rishikim e buxhetit dhe të njëjtin t’ia dërgojë Qeverisë për shqyrtim dhe miratim.
Ndërkohë njeriu i parë i Financave Tevdovski ende është duke i bërë analiza rishikimit të buxhetit dhe sipas tij arka shtetërore po mbushet mirë. Ndryshe në tre muajt e parë të këtij viti, Qeveria ka investuar vetëm 26 milion euro, nga 422 milion euro të parapara për këtë vit në ndërtimin e rrugëve, gazsjellësit dhe linjave hekurudhore. Eksperti ekonomik Pavle Gacov vlerëson se është e pamundur që deri në fund të këtij viti të kemi të hyra të parapara në buxhet dhe realizimin e plotë të investimeve kapitale. Sipas tij nuk mbajnë argumentet e ministrit të Financave se dështim në investimet kapitale kemi për shkak të pagesave të faturave të vitit të kaluar. “Si duket edhe këtë vit mund të na përsëritet pasqyra e njëjtë si vitin e kaluar, e ajo është projektet infrastrukturore sërish të shkurtohen me rishikim e ri të buxhetit për këtë vit”m thotë Gacov. Për të mos ndodhur kjo thotë Gacov parat që do të mbeten pa realizuar nga investimet kapitale të përdorën për projekte të cilat nuk ishin planifikuar në Buxhetin për 2019 e që janë shumë më se të nevojshme për qytetarët. “ Sugjerojë që Qeveria të hap projekte të reja , sepse vendi ka nevojë në veçanti në energjetike, transport publik, gazifikim që jemi dëshmitarë se në këtë drejtim nuk po ndodhë asgjë. Projekte për ujësjellës dhe kanalizime sepse një numri i madh i fshatrave ende nuk kanë ujë të pijshëm”, thotë Pavle Gacov, ekspert ekonomik.
Ndërkohë edhe ekspertë tjerë ekonomik propozojnë sa ma shpejtë ketë rishikim të buxhetit por edhe përgjegjësi për ata funksionarë që nuk kanë kontribuar aspak për realizimin e detyrave të tyre. Besnik Fetahu ish ministër i Ekonomisë, vlerëson se ata të cilët duhet të realizojnë projektet kapitale gjithmonë gjejnë arsyetime, ndërkohë që qytetarët kanë të drejtë të dinë se pse realizmi i buxhetit po shkon keq sidomos sa i përket investimeve kapitale.
“Është koha që më në fund të vendoset sistem ku do të kërkohet përgjegjësi dhe llogaridhënie për ata funksionarë që nuk kanë mundur të realizojnë projektet për investime kapitale. Po ashtu sa i përket propozim-rishikimit të buxhetit, Ministria e Financave duhet të projektojë buxhet të realt dhe jo euforik gjatë planifikimit të shpenzimeve kapitale”, thotë Besnik Fetahu, ekspert ekonomik. (koha.mk)