Mesfushori i Arsenal-it, Santi Cazorla, gjatë një interviste për të përditshmen iberike “Marca”, ka folur për kalvarin që ka përjetuar pas dëmtimit në kavilje. Lojtari i “Topçinjve” ka rrezikuar të humbasë këmbën e djathtë dhe i është nënshtruar tetë operacioneve. Mjekët janë detyruar t’i heqin 8 cm nga tendina që po gangrenizohej për t’ia zëvendësuar me një pjesë të marrë nga krahu ku kishte edhe një tatuazh.
Futbollisti spanjoll ka që nga 19 tetori i 2016-ës që nuk luan, pas dëmtimit në sfidën Arsenal-Ludogoretz 6-0 në Champions League.
“Në Angli pas operacionit, mjeku më tha se duhet të isha i kënaqur nëse do të arrija të ecja në oborrin e shtëpisë me djalin tim”, tregon Cazorla i cili është transferuar në Spanjë, në Salamanca për periudhën e riaftësimit.
“Luaja me shumë dhimbje dhe duke vazhduar kështu plagët hapeshin thuajse gjithnjë. Nuk mbylleshin dhe infektoheshin. Ishte një makth. Por nuk e humba optimizmin dhe aty e kuptova se çfarë kishte vërtetë rëndësi në jetën time. Kam marrë shumë mesazhe, Iniesta dhe Villa më shkruanin çdo ditë”, rrëfeu lojtari i cili pritet t’i bashkohet “Topçinjve” pas Krishtlindjeve.