Fisnik PASHOLLI
Shkup, 10 shtator – Qytetarët e Maqedonisë prej muajit mars të vitit të ardhshëm do të mund të zgjedhin kompaninë prej të cilës do të blejnë rrymë. Me liberalizimin e tregut energjetik, krahas EVN-së, amvisëritë me energji do të mund të furnizohen nga më shumë kompani të tjera, apo me fjalë të tjerw qytetarët do të mund të blejnë energji elektrike nga më shumë kompani ngjashëm me ofertat në tregun e telekomunikacionit.
Konform Ligjit të ri për energjetikë në rrjedhë e sipër është edhe shpallja e tenderit për zgjedhjen e “furnizuesit universal”, si firmë që do të garantojë se asnjë konsumator nuk do të mbetet pa energji elektrike. Organet kompetente që rregullojnë tregun energjetik në shtet nuk presin shtrenjtim të rrymës për qytetarët.
Nga ana tjetër , ekspertët e energjetikës presin një rritje të butë të çmimit të energjisë elektrike, ndërsa me kalimin e kohës presin stabilizimin e tregut energjetik në shtet. Sipas numrit një të Komisionit Rregullator për Energjetikë, Marko Bislimovski, qytetarët nuk duhet të druajnë se në tregun e rregulluar do të ketë rritje të çmimit të rrymës, ndërsa një gjë e tillë nuk pritet as në tregun e lirë me përjashtim të rasteve nëse ndodh rritje e dukshme e rrymës së importuar. “Nuk pres që të ketë luhatje të çmimit për amvisëritë, bile mund të ndodhë që ai të jetë më i volitshëm në tregun e rregulluar në raport me çmimet në tregun e lirë”, thotë kryetari i KRE, Marko Bislimovski. Ai shton se në tregun e rregulluara nuk pritet të anulohet as tarifa e lirë e rrymës. Në favor të mbrojtjes së standardit të amvisërive pritet që firma që do të fitojë tenderin qeveritar dhe do të bëhet furnizues universal, do të duhet të mbrojë qytetarët nga luhatjet eventuale të mëdha në treg, andaj edhe në shtatë vitet e para, afër 80 për qind e prodhimtarisë vendore të rrymës, apo e Elektranave të Maqedonisë do të shkojë për amvisëritë dhe nuk do të importohet rrymë e shtrenjtë prej jashtë.
Në ndërkohë, pritet që në vitet e ardhshme që me çmimin më konkurruese të rrymës që do ta prodhojnë Elektranat e Maqedonisë, përdorimin më të madh të gazit në amvisëri dhe industri, paraqitjen e kompanive të reja që do të ofrojnë rrymë për shitje, që të gjithë lojtarët në tregun energjetik të garojnë me oferta më të mira për konsumatorin.
Nga ana tjetër, profesori universitar Goran Rafajllovski thotë se është e pritshme që çdo ndryshim të sjellë një dinamikë më të madhe në treg, por megjithatë pas dy tremujorëve të parë mund të pritet stabilizim i situatës.
“Ekziston mundësia që fillimisht të ketë rritje të energjisë elektrike për shkak të tregut vendor të pazhvilluar që do të sjellin luhatje dhe rritje të vogël të çmimeve te konsumatorët, por kjo do të zgjasë përderisa nuk balancohet gjendja, apo nuk zhvillohet tërësisht mekanizimi i tregut të ofertës dhe kërkesës”, shton më tej Rafajllovski.
Në ndërkohë, Komisioni Rregullator do të definojë në mënyrë të qartë edhe përmbajtjen e marrëveshjeve për furnizim me rrymë duke përjashtuar të gjitha klauzolat e pandershme në kontratë. Risi tjetër në Ligjin për Energjetikë se kompetentët nuk do të lejojnë të shkyçen kategoritë e prekshme të qytetarëve për shkak llogarive të papaguara përgjatë periudhës së dimrit. Pritet që në të ardhmen të caktohen edhe konsumatorët e rrymës që do të mbrohen në aspekt sezonal. Gjithashtu amvisëritë që do të furnizohen në tregun e hapur, do të mbrohen në aspektin e asaj, se çdo herë do të kenë furnizim me rrymë, ndërsa në të vërtetë furnizuesi universal do të jetë furnizuesi i fundit.
Ndryshe, përkundër faktit se çmimet e energjisë elektrike në Maqedoni janë më të ulëta se ato në shtetet e Bashkimit Evropian, megjithatë kur krahasojmë fuqinë blerëse apo pagat tona prej 300 euro në raport me 3000 euro, bie fjala në Danimarkë del se llogaritë e energjisë elektrike për një amvisëri tek ne janë gati të njëjta si në shtetet perëndimore. Kjo mbështetet edhe nga fakti se sipas të dhënave të Eurostat për vitin 2016, një kilovat orë në Maqedoni ka kushtuar 0.083 euro, ndërsa nga ana tjetër në Danimarkë një kilovat orë e energjisë elektrike kushton 0.308 euro, tregojnë të dhënat e Zyrës evropiane të Statistikës.
Sipas Eurostat, çmime më të lira se Maqedonia të rrymës, ka vetëm Kosova me 0.059, Serbia me 0.065 euro dhe Ukraina me 0.032 euro për kilovat rrymë. Gjithashtu, duhet përmendur se këto shtete akoma nuk kanë kaluar procesin e privatizimit të së paku një pjesë të sistemit elektroenergjetik.
Në ndërkohë, Eurostat njofton se çmime të ngjashme të rrymës si në Maqedoni, paguajnë Shqipëria dhe Bosnje e Hercegovina me nga 0.084 euro për një kilovat orë. Çmime të shtrenjta paguajnë edhe Mal i zi me 0.097 dhe Moldova me 0.092 euro për një kilovat orë. Nga ana tjetër Danimarka me 0.308 dhe Gjermania me 0.298 euro për kilovat orë paguajnë rrymën më shtrenjtë në Evropë. Çmimi mesatar i një kilovat ore rrymë në 28 shtetet e BE-së në vitin 2016 ishte 0.205 euro.