Multikonfesionalizmi sot, është një koncept i pranuar në shoqëritë sekulare

43

Shkup, 26 korrik – Fakulteti i Shkencave islame në Shkup mbajti sot konferencë shkencore ndërkombëtare me titull: Multikonfesionalizmi në shoqërinë multietnike në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ku morëm pjesë studiues nga vendi Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi, raporton Koha.mk

Në këtë konferencë, studiuesit trajtuan tema të rëndësishme mbi multikonfesioinalizmin dhe multikulturalizmin. Kështu, prof. dr. Farush Rexjepi, Dekan i Fakultetit të Studimeve islame në Prishtinë, foli mbi rëndësinë e tolerancës fetare në shoqëritë multikonfesionale, ku i bëri një analizë të thuktë rolit të tolerancës fetare në shoqëritë multietnike dhe multikonfesionale në Maqedoninë e Veriut ku jetojnë shumë komunitete: maqedonas, shqiptarë, turq, boshnjakë, vllahë, serbë, romë etj.

Ndërkaq, dekani i Fakultetit të Kishës Ortodokse Maqedonase, prof. dr. Gjoko Gjorgjevski, trajtoi temën mbi përvojat evropiane me edukimin religjioz, ku bëri një përmbledhje mbi edukimin e fesë në shkollat evropiane. Me këtë rast, Prof. Gjorgjovski, vuri në dukje larminë e sistemeve arsimore, pastaj marrëdhënien midis shtetit dhe bashkësive fetare. Prof. dr. Shaban Sulejmani, dekan i Fakultetit të Shkencave Islame në Shkup, foli mbi multikofesionalizmin në shoqërinë multietnike në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Me këtë rast, ai vuri në dukje se multikonfesionalizmi sot, është një koncept pothuajse i pranuar në shoqëritë sekulare. Në Ballkan, e posaçërisht në Maqedoni, nuk mund të flitet për monizëm fetar, sepse multikonfesionalizmi ka qenë një traditë e trashëguar ndër vite që nga koha e sundimit otoman në këtë zonë. Prof. dr. Konstantin Minoski nga Instituti i Sociologjisë në Shkup, foli mbi distancën etnike dhe fetare të qytetarëve në Republikën e Maqedonisë në periudhën pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë. Në këtë periudhë, shoqëria dhe shteti maqedonas transformohen nga një shtet socialist në kapitalist, dhe kjo periudhë e tranzicionit (e cila për fat të keq nuk ka mbaruar akoma), rëndohet shumë nga marrëdhëniet ndëretnike dhe fetare.

Prof. Fadil maloku nga Univresiteti i Prishtinës, shtroi si temë mundësinë e modelit islam të tolerancës, multikulturalizmit dhe multifetarizmit të bëhen alternativë e demokracisë? Prof. dr. Siri Hoxha dhe prof. dr. Ervin Muço nga Universiteti “Pavarësia” i Vlorës folën mbi edukimin multikfesional në shoqërinë globale. Ndërkaq, prof. Omer Kajoshi nga Mali i Zi, foli mbi multikfesionalizmin dhe marrëdhëniet midis bashkësive fetare. Me këtë rast, ai vuri në dukje nevojën e domosdoshme të dialogut në shoqëritë multikobnfesionale, , si në rastin e Malit të Zi, po ashtu dhe në vendet tjera ballkanike.

Kajoshi, theksoi se nëse duam të kemi marrëdhënie të mira midis bashkësive fetare, atëherë duhet të ketë dialog të mirëfilltë midis tyre, por të mos quhet dialog ndërfetar, por, së pari të quhet ndërnjerëzor. Në konferencë me tema morën pjesë edhe prof. dr. Muhamet Mustafi dhe prof. dr. Abdulxhemil Nesimi, profesor në Fakultetin e Shkencave Islame në Shkup. Të gjithë pjesëmarrësit u pajtuan se tema të tilla duhet trajtuar më shpesh në institucionet e vendeve tona.(koha.mk)

Comments are closed.