Mulliri i Tabakhanës në Prizren, vendi ku besohet se mund të shëroj fëmijët memecë |VIDEO

Rrjedha e Lumbardhit përgjatë qytetit të Prizrenit është përdorur shumë për funksionimin e mullinjve, e të tillë dikur kishte shumë.

Sot në Prizren mund ta gjejmë vetëm një mulli, atë të “Tabakhanës”, i cili përveç veçantisë dhe vjetërsisë së tij, ka hyrë edhe në legjenda të popullit, ngase thuhet se shëron fëmijët memecë.

Historiani Enver Bahtiu thotë për RTV Dukagjinin se ky mulli ka vlera të larta arkitektonike dhe etnologjike, por ka disa njerëz që besojnë se ai shëron fëmijët memec.

“Prizreni kishte një numër të madh të mullinjve, por sot ka mbetur vetëm me një të tillë, ai është mulliri i Tabakhanës. Është i veçantë dhe pronarët e tij janë ndërruar gjatë kohërave të ndryshme. Ky mulli ka hyrë në legjendat e popullit, dhe shpeshherë nënat të cilat nuk iu dëgjojnë fëmijët, i dërgojnë te ky mulli të dëgjojnë zhurmat e tij, dhe thuhet se po ta dëgjojë femja këtë zë, i hapet goja dhe fillon të flasë”, tregon historiani Bahtiu.

Mulliri është në pronësi të Maliq Gërmizajt, dhe ai tregon se ende vijnë njerëz për të kërkuar shërim te ky mulli.

“Ka efekte sepse të vjetrit jo rastësisht e kanë lënë legjendën se ky mulli shëron, bien fëmijë këtu, ka suksese, po normal se ajo është puna e Zotit, e jona është me i bërë rendin”, thotë pronari i mullirit.

Sipas historianit Bahtiu, mullinjtë e shumtë në Prizren që ekzistonin, kishin përgatitur këtë qytet të bëhej kryeqendër e shqiptarëve.