Sulmuesi gjerman Thomas Muller ka thënë se është i gatshëm të largohet nga Bayern Muncheni nëse nuk e ka atë minutazhë që dëshiron nën drejtimin e Niko Kovaçit, raportojnë mediumet gjermane të mërkurën. Muller ka pranuar se do të vlerësojë të ardhmen e tij te Bayerni nëse nuk luan më tepër në javët në vijim. Sulmuesi 30-vjeçar ka qenë në klub që nga mosha dhjetëvjeçare dhe ka kaluar gjithë karrierën profesioniste te Bayerni.
Muller po ka vështirësi të sigurojë vend titullari te Bayerni nën drejtimin e Kovaçit, ndërsa klubet si Manchester United dhe Inter kanë shprehur interesim për të në të kaluarën. Ai mund të jetë i gatshëm për të lëvizur në afatin kalimtar të janarit.
“Nëse stafi i trajnerëve më sheh si zëvendësues në të ardhmen, atëherë do të mendoj për situatën time. Unë jam tepër ambicioz për të mos e bërë këtë”, ka thënë Muller për revistën gjermane “Kicker”.