Shkup, 24 tetor – Pas gjashtë muajve nga sulmi i 27 prillit, deputetët Krste Mukoski dhe Sasho Vasilevski sot duhet të paraqiten në Prokurorinë Publike për të dhënë llogari për terrorin e 27 prillit në Kuvendin e Maqedonisë. Nga video-incizimet e siguruara të cilat u publikuan në opinion, shihet se që të dy deputetët opozitarë janë ndër ata që gjenden në korridorin e hyrjes kryesore të ndërtesës parlamentare duke iu mundësuar protestuesve “Për Maqedoni të përbashkët” që të hyjnë brenda.
Gjithashtu mund të shihet se si edhe deputetë tjerë të VMRO-DPMNE-së, të cilët sipas informatave jozyrtare i kanë orientuar dhunuesit se nga të shkojnë. Ndër ata është dhe kandidati për kryetar komune nga radhët e VMRO-DPMNE-s, Johan Tarçullovski. Pritet që ditëve në vijim në Prokurori të paraqiten edhe deputetët tjerë për “të enjten e përgjakshme”. Për terrorin e 27 prillit tashmë janë sjellë dy aktgjykime, njëri në maj e kurse i dyti, me katër vjet burg, u miratua para dhjetë ditëve ndaj sulmuesit të Radmilla Shekerinskës. Në paraburgim janë edhe sulmuesit e deputetit të Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela.