Poroj, 5 korrik – Këshilltari në Komunën e Tetovës nga radhët e Besës, Basri Muhamedalia mbajti konferencë për shtyp në fshatin Poroj prej ku kërkoi zgjidhje më të shpejtë të problemit me Lumin e Porojit dhe masat preventive me qëllim që të mos ketë vërshime të reja.
Ai u bëri thirrje autoriteteve të shtetit, kryeministrit, ministrave dhe kryetarëve të komunave të mos merren me investime kozmetike, por të kyçen në investime radikale që do të çojnë drejt përmirësimit të vërtetë të situatës në Poroj dhe më gjerë.
“Vërshimet në Poroj vijnë që në malin prej mbi fshatit Gjermë ku uji sjell dhe, drunj dhe gurë. Në kohën e ish-Jugosllavisë ishin ndërtuar diga dhe kaskada të cilat për fat të keq nuk u mirëmbajtën, ndërkaq të njejtat pas vërshimeve nga vitet e fundit u shkatërruan tërësisht. Tani banorët e fshatit Poroj dhe fshatrat përreth janë të shqetësuar madje edhe gjatë reshjeve më të vogla të shiut”, tha këshilltari Muhamedalia.
Ai përkujtoi se banorët e Porojit e kanë këtë problem dhe vërshime prej vitit 1930, 1968, 1979, 1997, 2015 dhe më së fundi në vitin 2017.
“Pati shumë premtime, mes të cilave edhe kryeministri Zoran Zaev, së bashku me ekipin e tij qeveritar, si dhe kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, ku në vitin 2017 premtuan se problemet me vërshimet do të parandalohen. Edhe pse kryeministri Zaev tha se menjëherë do të intervenohet dhe gjithashtu tha se viti 2018 do të jetë vit i punës dhe investimeve, por për fat të keq kjo nuk ndodhi, siç ishte paralajmëruar”, tha këshilltari. (koha.mk)