Tenistja spanjolle Garbine Muguruza ka nisur sot me fitore “karrierën” si numri 1 në botë, duke mundur 2-0 (6-4, 6-4) Caroline Garcia në turneun e Tokios. Nga Japonia, ajo ka folur për të ardhmen, duke u shprehur se synon të qëndrojë gjatë në krye të renditjes botërore. “Mundësisht për sa kohë do të luaj tenis. Mendoj se do ta praktikoj këtë sport për një periudhë të gjatë. Unë nuk e di se çfarë surprizash do të rezervojë e ardhmja, por ajo që di është se dua të luaj tenis”, u shpreh Muguruza, që doli në krye të renditjes pas grand slemit të US Open.
Ngjitja në majë është një peshë e madhe për spanjollen, që ndjen përgjegjësi për të ardhmen. “Kam fjetur e qetë edhe këto javë si kryesuese e renditjes, por e vetëdijshme se kjo është një përgjegjësi e madhe. Arrita një rezultat të madh, por kam ende shumë për të bërë dhe për të dhënë”, tha Muguruza, që i “trembet” vetëm një rivaleje. Serena Williams. “Ka për të qenë një rivale e frikshme kur të rikthehet, ashtu siç ka qenë gjithnjë. E habitshme që ka ende dëshirë të luajë edhe pse u bë nënë, në moshën që ka, e adhuroj”, tha spanjollja.