Një prej klinikave më të rëndësishme në kryeqytet – ajo e Kardiologjisë, tashmë një kohë ka edhe drejtorin organizativ i cili vjen pikërisht nga rrethina e Shkupit. Naser Muaremi në këtë intervistë për gazetën KOHA flet mbi sfidat të cilat përballet kjo Klinikë në pikun e pandemisë me Covid 19, punët që po bëhen brenda saj, menaxhimi i situatës si dhe trajtimi i pacientëve…
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Ka pak kohë që jeni në këtë pozitë, e fillojmë me atë se si e gjete këtë klinikë si në kushtet e punës ashtu edhe në trajtimin e pacientëve?
MUAREMI: Klinikën e gjeta në gjendje të mirë, si në kushtet e punës poashtu edhe në trajtimin e pacientëve, por duhet të përmirësohen kushtet për qëndrim të pacientëve dhe rritja e personelit të klinikës si në pjesën mjekësore poashtu edhe në pjesën administrative.
KOHA: Duke e ditur që është një nga repartet më të ndjeshme, si po zhvillohet puna?
MUAREMI: Puna zhvillohet sipas rekomandimeve të Ministrisë së shëndetësisë dhe Qeverisë, është ulur vëllimi i punës por rasteve urgjente dhe prioritare ju dilet në ndihmë gjithmonë, poashtu kemi personel mjekësorë të angazhuar në Qendrat tjera Covid-19 në territorin e qytetit të Shkupit.
KOHA: Mund të na e përshkruani gjithë punën 12 orëshe brenda repartit nga pranimi i pacientëve, trajtimi e deri tek lëshimi i tyre pas kurimit (në përgjithësi raste të ndryshme)?
MUAREMI: Ka dallime nga natyra e sëmundjes dhe gjendja e pacientit, në klinikë kemi në dispozicion ambulancë urgjente e cila punon 24 orë, e cila i pranon të gjithë pacientët në gjendje të përkeqësuar dhe mjeku në bazë të situatës së pacientit e jep udhëzimin për trajtim dhe intervenim të mëtutjeshëm. Situatë më ndryshe është kur pacienti vjen në gjendje të rrezikshme shëndetësore, për pacientët e tillë menjëherë kryhen intervenimet e duhura, pas përmirësimit të gjendjes shëndetësore të pacientit bëhet transferi nga reparti intensiv nëpër repartet tjera përkatëse dhe në fund pas lëshimit të pacientit jepet sugjerim për terapi adekuate për shërim në kushte shtëpiake. Mesatarja e qëndrimit të pacientëve në Klinikë është 3.04 ditë. Vlen të theksohet edhe bashkëpunimi i mirë me klinikat tjera për pacientët të cilët përskaj problemeve kardiologjike kanë edhe probleme tjera shëndetësore.
KOHA: Sigurisht që ka gjithmonë mundësi për më shumë, cilat janë planet që janë realizuar deri më tani por edhe për vitin e ardhshëm për punën ne Kardiologji?
MUAREMI: Shpresojmë që Pandemia sa më shpejtë të kalojë dhe t’i hapim dyert për më shumë pacientë, më shumë kuadër dhe mjete. Shpresojmë të bëjmë renovim të klinikës e cila do të përmirëson kushtet si për pacientët poashtu edhe për personelin, për punë më efikase dhe motivim të personelit.
KOHA: Me ardhjen tuaj në këtë pozitë, sa e keni gjetur veten të përgatitur?
MUAREMI: Më është dashur një periudhë e shkurtër të njoftohem me funksionimin e punës së klinikës, e ndjej veten si pjesë e saj, i orientuar jam për punën organizative të klinikës në të gjitha aspektet e saj.
KOHA: Si qëndrojnë punët brenda për sa i përket stafit, pasi gjithmonë ka ankesa e kërkesa për më shumë?
MUAREMI: Në këtë drejtim nuk kemi shumë duar të lira në aspekt të avancimeve dhe punësimeve të reja, pasi ato varen nga buxheti dhe organet tjera, i respektojmë të gjitha të drejtat e punëtorëve. Mundohemi të sigurojmë atmosferë të mirë pune dhe dera ime është e hapur gjithmonë për nevojat e të punësuarve në suaza të mundësive ligjore, kushte më të mira pune dhe sigurim të pajisjeve personale mbrojtëse.
KOHA: Tash në kohë të Pandemisë a po përmbushen kërkesat e të gjithë qytetarëve që drejtohen për shërbime në repartin tuaj?
MUAREMI: Terminet janë zvogëluar për shkaqe të ndryshme, dhe një nga shkaqet është angazhimi i stafit tonë nëpër qendrat tjera Covid në territorin e qytetit të Shkupit.
KOHA: A ka furnizim të mjaftueshëm me barna nga lista esenciale dhe me material shpenzues, a i përmbushin ato kërkesat e të gjithë pacientëve?
MUAREMI: Klinika i ka të siguruara të gjitha barnat dhe materialet e tjera harxhuese për funksionimin normal të saj.
KOHA: Sa është aktualisht përqindja e furnizimit me barna dhe me material shpenzues?
MUAREMI: Deri tash nuk kemi pasur probleme me furnizimin e klinikës me barna dhe material shpenzues dhe mbajmë llogari për këtë punë.
KOHA: A janë të gjitha aparaturat në funksion dhe në çfarë gjendjeje janë ato?
MUAREMI: Të gjitha aparaturat janë në funksion dhe në gjendje funksionale.
KOHA: Cilat aparatura i mungojnë këtij reparti, nëse ka pasur mungesa si janë trajtuar pacientët në mungesë të tyre?
MUAREMI: Nuk kemi pasur mungesë të aparaturës, dua të falënderoj Ministrinë e Shëndetësisë, e cila në fund të viti 2019 ka bërë furnizimin e klinikës tone me Eho aparate, Holtera dhe CARM aparaturë.