Shkup, 6 qershor – Muarem Muarem është përforcimi i parë i FC Shkupi. Futbollisti shkupjan është prezantuar sot me skuadrën e tij të re, pasi ka firmosur edhe kontratën përkatëse me kohëzgjatje prej dy viteve. Lajmi është konfirmuar nga faqja zyrtare e FC Shkupi, që ka postuar edhe fotot e prezantimit, ndërsa menjëherë pas kësaj ka folur edhe vet Muarem Muarem.
“Sigurisht se ndjehem i lumtur që pas 11 viteve kthehem në klubin e dashurisë, Shkupin dhe lagjen time Çairin nga edhe e fillova jetën e një futbollisti profesionist. Shpresoj të adaptohem shumë shpejt me ekipin dhe të jap ndihmën time në realizimin e projekteve të kryesisë, ndërsa tani me pjesëmarrjen në Ligën e Evropës, klubi do ketë mundësi që përsëri të kthejë famën e dikurshme”, deklaroi Muarem.
Ndryshe, Muarem së fundmi ka luajtur për Flamurtarin nga Vlora, derisa hapat e parë i ka bërë pikërisht te FC Shkupi, ndërsa në të kaluarën ka pasur një karrierë të pasur duke luajtur për Rabotniçkin, Teteksin, Orduspor, Karabak, Eskishehirspor, Karabak, Aktobe dhe siç thamë Flamurtarin nga Vlora.