Sistematizime joaktive, marrëveshje të paregjistruara për punësim, mungesë dhe të dhëna të paazhurnuara për të punësuarit në sektorin publik ka konfirmuar Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës (MSHIA) gjatë kontrollit individual të të gjitha 1302 institucioneve që ekzistojnë në Maqedoni. Për shkak të mospasjes së pasqyrës së të punësuarve në sektorin publik, MSHIA deri te KSHZ ka dorëzuar të dhëna të marra me kryqëzimin e bazave nga shumë institucione.
Ministri Damjan Mançevski sot në konferencën për shtyp tha se janë përballur me problem shumë më të madh nga ai që e kanë pritur sepse gjatë kontrollit është konfirmuar se 197 institucione aspak nuk kanë kërkuar nga MSHIA në pajtim për sistematizim dhe për ta Ministria nuk ka kurrfarë të dhëna, ndërsa 150 institucione edhe pse kanë pasur sistematizim të miratuar nga MSHIA-ja, ata nuk janë aktiv gjegjësisht asnjëherë nuk kanë regjistruar të dhëna.
Shtoi se për shkak të kësaj MSHIA nuk mund të garantojë për seriozitetin e plotë të të dhënave, por konsiderojnë, siç tha, se ata do të përgjigjen në nevojat e KSHZ-së për zbatimin e zgjedhjeve lokale. Problemi në Regjistër reflektohet edhe në Raportin vjetor të të punësuarve në sektorin publik. “Edhe krahas asaj që me ligjin për të punësuarit në sektorin publik është paraparë që raporti i përgatitur në bazë të të dhënave vetëm nga Regjistri, kjo në praktikë nuk zbatohet”, theksoi Mançevski në konferencën për shtyp në Qeveri.
Si rezultat i Regjistrit të paplotësuar, Raporti vjetor për vitin 2016 është përgatitur në bazë të të dhënave nga më shumë institucione shtetërore, si Regjistri Qendror, Agjencia për Punësim, Fondet për Sigurim Shëndetësor dhe Invalidor dhe Ministria e Financave. Mançevski theksoi se MSHIA punon në tejkalimin e këtij problemi me qëllim që sa më shpejt të merret regjistër funksional për të punësuarit në sektorin publik. Për rreth 350 institucione kontestuese – 197 të cilat nuk kanë pasur sitematizime dhe 150 të cilat nuk i kanë aktivizuar, Mançevski tha se punohet për mosrespektimin e ligjit nga ana e udhëheqësive të tyre. Midis këtyre institucioneve ka ndërmarrje publike në nivel lokal dhe qendror. I theksoi si për shembull NP Ujësjellësi-Shkup dhe disa ndërmarrje të tjera nga Shkupi, por edhe Bankën Popullore të Republikës së Maqedonisë.
Kontrolli i gjithsej 1302 institucioneve ka treguar se 918 të tjera kanë sistematizim të miratuar dhe kanë regjistruar të dhëna. Megjithatë, shtoi Mançevski, ka indikacione serioze se edhe te këto institucione numri i madh i të dhënave nuk janë plotësuar siç duhet. Tridhjetë e shtatë institucione, megjithatë, në të cilat përkasin edhe gjykatat, kanë sistematizim aktiv edhe pse sipas ligjit nuk u është e nevojshme pajtim nga kjo Ministri. Në pyetje të gazetarëve në lidhje me Marrëveshjen e Ohrit përvjetori i të cilës shënohet sot, Mançevski u përgjigj se punojnë në mënyrë aktive në zbatimin e Marrëveshjes.