Shkup, 29 janar – Ministria e Shëndetësisë përmes një kumtesës e informon opinionin se informacioni i plasuar nga portali “Skopjeinfo” me titull “Një shkupjane ka vdekur nga zorra e verbër- nuk ka pasur krevat të lirë në klinikë” është lajm i rremë dhe gazetari e transmeton absolutisht në mënyrë jokorrekte dhe tendencioze, përcjellë gazeta KOHA.
Nga Ministria thonë se teksti nuk i përgjigjet asnjërës prej pesë pyetjeve gazetareske, siç është shkrimi bazik, është e domosdoshme të shkruhet të paktën tekst informues. Nuk është përmendur asnjë vend, Qendrën Klinike e përbëjnë më shumë se 30 Klinika, nuk është përmendur as koha kur ka ndodhur ngjarja.
Komentet, se bëhet fjalë për viktimën e fundit në kaosin e shëndetësisë janë të pabaza dhe tendencioze. Redaksia e “Skopjeinfo” nuk i ka kontaktuar institucionet kompetente, e as ka kërkuar deklaratë për këto spekulime, thuhet në kumtesë.
“Nga redaksia e ‘Skopjeinfo’ kërkojmë që të kërkojë falje publike për shpifjet e thëna në tekst dhe dëmin e shkaktuar, në të kundërtën do të ndërmarrim masa të parapara sipas Ligjit”, thuhet në kumtesën e Ministrisë së Shëndetësisë. (koha.mk)