Shkup, 15 gusht – Ministria e Shëndetësisë njoftoi se sot ka filluar procedura për furnizim publik të insulinës, glukagonit, gjilpërave për insulinë dhe shiritave për matje të sheqerit dhe pompa të insulinës me material shpenzues për periudhën shtator 2018 – shtator 2020.
Nga atje theksojnë se procedurat janë planifikuar në mënyrë adekuate, në pajtueshmëri të numrit dhe nevojave të pacientëve dhe qytetarëve dhe se para se të shpallej furnizimi publik janë kontaktuar shoqatat e qytetarëve të cilët kanë dhënë mendimet e tyre.
“Në pajtueshmëri me kërkesat në dokumentacionin e tenderit, për herë të parë pas gjashtë viteve në Republikën e Maqedonisë priten ilaçe të reja për diabet, siç janë insulina dhe terapia ampulare. Në gjithë procesin ka qenë i përfshirë edhe Komisioni kombëtar për diabet”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.
Nga Ministria e Shëndetësisë theksojnë se deri në përfundim të procedurës për furnizim publik do të ketë sasi të mjaftueshme të insulinës në të gjithë barnatoret për insulinë.
Operatorët e interesuar ekonomik duhet të kenë kujdes në përgatitjen e dokumentacionit të tenderit, posaçërisht në pjesën e dorëzimit të certifikatave për cilësi të ilaçit të gatshëm dhe leje për lëshim të ilaçit në qarkullim të cilët janë theksuar në specifikimet teknike nga dokumentacioni i tenderit.