Omer XHAFERI
Shkup, 14 korrik – Në sektorin e mediave janë të nevojshme reforma thelbësore përmes të cilave do të zgjidhet çështja e financimit, transparencës, profesionalizmit, lirisë së gazetarëve dhe mbrojtja e tyre, qoftë në aspektin e të drejtave të punës, ashtu edhe nga sulmet fizike. Këto janë disa nga porositë, të cilët u thanë në debatin publik q të premten e organizoi Ministria e Administratës dhe Shoqërisë Informatike (MASHI), me temë “Reformat në media”. Ministri i ri i MASHI-të, Damjan Mançevski dhe ministri pa resor i angazhuar për Komunikime, Raporte dhe Transparencë, Robert Popovski, gjatë debatit me përfaqësuesit e shoqatave të gazetarëve dhe punëtorë tjerë medial, theksuan se reformat në sferën e mediave në Maqedoni janë të domosdoshme. Gjatë zhvillimit të debatit publik, në të cilën morën pjesë një numër i konsiderueshëm i gazetarëve, njëra palë shprehi gatishmëri për t’i përmbushur reformat në media, ndërsa pala tjetër deklaroi se janë të gatshëm që të kontribuojnë që pushteti dhe politika përfundimisht t’i largojnë duart nga përmbajtja e tyre mediatike. Ligji për shërbime audio dhe audiovizuele, si dhe reformat në servilin publik, sipas qëndrimeve të ministrave, do të jenë prioritet i Qeverisë.
“Vlerësojmë se nevojitet liria gjatë informimit të qytetarëve dhe në drejtim të kësaj çështje mendojë se për hir të konkurrencës së shëndosh në treg, të gjitha mediat duhet të kenë trajtim të njëjtë. Qeveria brenda kësaj kohe të shkurtë i ka ndaluar të gjitha fushatat në media. Po ashtu, duam t’i ndërpresim të gjitha harxhimet financiare që burojnë nga buxheti drejtë mediave komerciale. Me këtë vendim dëshirojmë t’i njoftojmë qytetarët se të gjitha informimet e Qeverisë do të shkojnë përmes servilit publik”, tha ministri Mançevski.
Ngjashëm si parafolësi i tij, edhe ministri pa resor Popovski, tha se njëra prej prioriteteve të Qeverisë janë ndryshimet në MRTV dhe nevojën për reformimin e saj. Nga ana tjetër, kryetarja e Sindikatës së pavarur të gazetarëve dhe punëtorëve medial, Tamara Çaushedis, e lavdëroi qasjen e Qeverisë në drejtim të përmirësimit të kushteve në të cilët punojnë gazetarët, megjithatë ajo shprehi brengosje se pse ministrat qeveritar fare nuk e përmenden Ligjin për marrëdhënie pune, nëpërmjet të cilit ajo tha se mund të krijohen kushte më të mirat të punës në mediat. ”Vetë censura është e shpërndarë në të gjitha redaksitë. Për t’u ndryshuar kjo situatë nevojitet të ndryshohet qasje dhe mentaliteti. Nuk duhet të lejohet zhvillimi i propagandës”, tha Çaushidis, duke drejtuar kritika se përbërja e re qeveritare, disa herë ka tentuar ta bën një gjë të tillë, edhe atë duke e marrë shembull pushtetin e kaluar të udhëhequr na VMRO-DPMNE-ja.
Për kryetarin e Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë, Naser Selmanin, vendimet e Qeverisë për ndërprerje të reklamave qeveritare janë të duhura, duke numëruar edhe vendimin qeveritar i cili parasheh njëherë në javë Qeveria të brifojë për punën e saj. Mirëpo, fjalimi i Selmanit nuk kaloi pa kritikë, e cila kryesisht lidhej me financimin e servisit publik.
”Nga njëra anë paralajmëruar se një për qind e buxhetit do t’i takon MRTV-së, ndërsa me rebalancin e fundit ju ndatë 0, 5 për qind apo rreth 200 milionë euro për tre muajt e fundi të vitit. Këto mjete nuk mjaftojnë nëse dashuronin pavarësi financiare. Kjo përqindje duhet të rritet dhe nëse nuk e bëni këtë, do të përballeni me presion të madh nga ana jonë”, theksoi Selmani. (koha.mk)