Evis HALILI
Shkup, 15 gusht – Pak ditë përpara fillimit të manifestimit “Mbrëmjet Poetike të Strugës”, janë ndërruar të gjithë anëtarët e Këshillit Drejtues të Festivalit. Poeti Darko Leshkovski është emëruar si kryetar i Këshillit Drejtues, në vend të Sllave Gjorgjo Dimovski, ndërsa janë ndryshuar edhe dy anëtarë të tjerë, shkruan gazeta KOHA. Në përbërjen e Këshillit të ri vazhdon të figurojë si i pandryshuar emri i anëtarit Xheladin Poshka, si përfaqësues i punonjësve të Festivalit, ndërkohë që bosh ka mbetur vendi i anëtarit të pestë të bordit, përfaqësuesit të komunës, pozicioni ky që është bojkotuar prej disa vitesh nga komuna. Drejtori i Festivalit, Mite Stefovski, mandati i të cilit ka skaduar, thotë se Këshilli drejtues do të funksionojë me një anëtar më pak, për shkak se komuna nuk ka dërguar asnjë përfaqësues. “Mandati i kryetarit të KD kishte skaduar, i dy anëtareve të tjera jo, por që gjithsesi nuk kishim nevojë për këto turbulenca tani në prag të fillimit të festivalit. Presim emra të rëndësishëm që të mblidhen këtu”, thotë Mitevski. Ndryshimet në Këshillin Drejtues nuk priten të sjellin kthesa në përmbajtjen e manifestimit, që prej vitesh kritikohet jo vetëm për mënyrën e izoluar sesi zhvillohet, por edhe për frymën monoetnike që mbizotëron në të gjitha aspektet e organizimit. Në një prononcim për “KOHA” kryetari i komunës së Strugës u shpreh se në rast se me drejtuesit e këtij festivali do të vazhdojnë të kenë të njëjtat probleme si edhe vitet e tjera që lidhen me përdorimin e gjuhës shqipe, elementet e munguara shqiptare në këtë manifestim do të jenë të detyruar të vazhdojnë të bojkotojnë. Numri i poetëve nga vendi nuk është më i madh se një ose dy persona, ndërsa këtë vit si krijues shqiptar nga jashtë Maqedonisë është poetja Luljeta Leshanaku. Emërimi i poetit Darko Leshovski, i njohur me përmbledhjet poetike si “Fëmijë nga një familje e keqe”…, ka krijuar pështjellim në mesin e krijuesve maqedonas, një pjesë prej të cilëve e cilësojnë si të padenjë për këtë mbajtur këtë post, ndërsa të tjera shprehen me superlativa dhe japin vlerësime pozitive për ndikimin që shpresojnë të ketë në këtë festival. Të hënë kanë reaguar edhe nga VMRO-DPMNE, të cilët e kanë cilësuar si ofendim për poetët dhe krijuesit e vërtetë në Maqedoni. Vetë Leshovski përmes ka reaguar në rrjetet sociale ndaj kritikave dhe atyre që e qujanë poet interneti, që s’ka qenë pjesë e manifestimeve dhe ngjarjeve të kulturës.
“Unë jam ai Darko dhe nuk kërkoj nga ju t’më respektoni dhe as t’ju rendis listën me vlerat dhe lëvdatat për mua. Respektin ruajeni për më të moshuarit. Mua më mjaftojnë rrugët, pazaret, kafenetë, shokët…”, shkruan ndër të tjera Leshovski.
Sa i takon ndryshimeve të përgjithshme, ato priten të ndodhin pas ndryshimit edhe të pjesës tjetër të këtij institucioni, drejtorit, mandati i të cilit ka skaduar prej kohësh. Ndryshimet në këshillin drejtues kanë prekur edhe festivalin tjetër ndërkombëtar – “Vera e Ohrit”. Shkarkimet që kanë nisur me Këshillat drejtues, pas përfundimit të zgjedhjeve lokale në muajin tetor, priten të vijojnë edhe me ndryshime në drejtuesit e këtyre drejtorive. Shkarkimet dhe emërimet e reja lidhen me parregullsitë dhe anomalitë që janë evidentuar nga raportet e punës që drejtorët e drejtorive që janë në varësi të Ministrisë së Kulturës i kanë dorëzuar në këtë institucion.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.