Shkup, 15 janar – Ministria e Punës dhe Politikës Sociale vetëm jep pajtueshmëri për punësim, ndërkaq punësimi dhe sistemimi i kuadrit është në kompetenca të komunave, përkatësisht të drejtorëve të institucioneve për mbrojtje të fëmijëve, theksojnë nga MPPS duke reaguar ndaj konferencës për shtyp të Ambasadës së parë të fëmijëve në botë “Megjashi” dhe prindërve të fëmijëve nga kopshti “Koço Racin” për ndërrimin e një edukatores. Ndërrimi, theksuan ata, i ka shkelur të drejtat e fëmijëve dhe kërkuan reagim nga institucionet.
“Ministria mund të reagojë vetëm në rast kur shkelen dispozitat nga Ligji për mbrojtje të fëmijëve, ku në mënyrë decide janë cekur rastet kur është kryer shkelje në pjesën e mbrojtjes së fëmijëve të përkujdesur në institucionet për fëmijë”, thuhet në reagimin nga MPPS.
Nga atje shtojnë se Ministria mbetet tërësisht e përkushtuar në tejkalimin e problemeve të trashëguara në institucionet publike për fëmijë – kopshtet e fëmijëve dhe se janë siguruar kushte për funksionim të papenguar dhe për kujdes të papenguar për fëmijët shfrytëzues.
“Për atë qëllim, janë shtyrë marrëveshjet për punësim në kohë të pacaktuar. Ndërkohë, Ministria po bën analizë të hollësishme të çdo institucioni në veçanti, pas çka do të pasojë zgjidhja e përhershme e problemeve kadrovike të cilat në kopshte i krijoi Qeveria paraprake, duke i mbajtur në paqartësi të përhershme edukatoret, prindërit dhe fëmijët”, thuhet në reagim.