Shkup, 11 janar – Nëse qytetarët vërejnë ndonjë person të pastrehë ta paraqesin në numrat e telefonit kujdestarë që të vendosen në ndonjërin prej pikave të pranimit të cilat janë në funksionim nga fillimi i periudhës së dimrit, me qëllim të mbrohen nga temperaturat e ulëta ekstreme, apelojnë nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale (MPPS), informon Koha.
“Paraqitja mund të bëhet në numrat e ardhshëm të telefonit: Shkup 071 733 171, 071 411 908, 071 261 778; Manastir 070 791 770; 071/397 272; 071/397-875; Strumicë: 070 381 660; Strugë: 070 317 612/046 781 733. Pas paraqitjes në këto numra të telefonit ekipet mobile nga Qendrat për punë sociale dhe Kryqi i Kuq dalin në terren dhe i vendosin të pastrehët në disa pika në Shkup dhe nëpër Maqedoni ku marrin rroba të pastra, ushqim të ngrohtë, ngrohje dhe ndihmë mjekësore. Personat të cilët refuzojnë të vendosen në ndonjërin prej pikave u distribuohen thasë për fjetje, batanije, rroba, ushqim”, informojnë nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale.
Nga Ministria përkujtojnë se në bashkëpunim me Kryqin e Kuq në Shkup para një muaji e kanë vendosur në funksion qendrën për të pastrehë “Momin potok” ku ka 32 shtretër. Në periudhën prej 16 dhjetor të vitit të kaluar deri më 9 janar të këtij viti janë realizuar 226 bujtje.
Krahas kësaj qendre në funksion janë edhe tre qendra rajonale pranimi në Manastir, Strumicë dhe Strugë. Gjithashtu MPPS i ka angazhuar të gjitha Qendrat për punë sociale në Maqedoni në ueb faqen e tyre të publikojnë numra telefonash kujdestarë për paraqitje të pastrehëve dhe familjeve tjera pa kushte adekuate për jetesë.
Aktivitete të tilla janë ndërmarrë edhe gjatë dimrit 2017/2018, kur rreth 120 persona ishin vendosur nëpër objekte të institucioneve për mbrojtje sociale, të cilët janë përfshirë në pilot programin për mbështetje të jetesës.