Shkup, 21 qershor – Familja e tre fëmijëve të cilët dje pësuan në zjarrin në Veles është evidentuar në sistemin e Qendrës për Punë Sociale në Veles dhe ishin shfrytëzues të ndihmës sociale, informon sot Ministria e Punës dhe Politikës Sociale (MPPS).
“Sot, komuna e Velesit në bashkëpunim me Qendrën për Punë Sociale angazhohen për organizim të varrimit të fëmijëve të pësuar. Në rrjedhë është hetimi i Prokurorisë Themelore Publike dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme. Për të gjitha detajet e mëtutjeshme të hetimit, si dhe për veprim të Qendrës për punë sociale, sipas nevojave dhe kompetencave, opinioni do të informohet në kohë”, kumtoi MPPS.
Prokuroria Publike e Republikës së Maqedonisë informon se prindërit i kanë mbyllur fëmijët dhe kanë shkuar në dyqan, ndërsa gjatë asaj kohe, për arsye të panjohura ka shpërthyer zjarr dhe për një kohë të shkurtër e ka përfshirë shtëpinë në të cilën jetët i humbën tre fëmijët e moshës katër, dy dhe një vjet. Kontroll në vendin e ngjarjes ka kryer prokurori publik kompetent nga Prokuroria Themelore Publike Veles i cili dha urdhra për autopsi të trupave të fëmijëve të vdekur dhe kryerje të identifikimit. Do të bëhet kontroll i gjurmëve të marra nga vendi i ngjarjes që të konfirmohen arsyet e zjarrit.
Paraprakisht MIA publikoi se në zjarr në një shtëpi në rrugën “Dare Xhambaz” p.n. mbi shtëpitë e fundit nën kodrën Vërshnik në pjesën e lartë të Velesit në zjarr në një shtëpi e cila ka qenë në pyll u dogjën tre fëmijë të moshës katër, dy dhe një vjet.
Siç informon për MIA-n Lubço Lepidovski komandant i Njësisë territoriale të zjarrfikësve nga Velesi zjarri është paraqitur nga qytetarët në orën 16:05 minuta.