Evis HALILI
Shkup, 13 korrik – Qëndrueshmëria e sistemit të sigurimeve shëndetësore dhe sociale, fondet e pensionit dhe në përgjithësi financave publike pas tre vitesh do të hyjnë në zonën e kuqe, shkruan gazeta KOHA. Përballja me sida serioze është e pashmangshme paralajmërojnë ekspertët dhe analizat e Statistikave zyrtare, pas ritmeve negative të shtimit të popullsisë dhe shkallës së ulët të fertilitetit, që gjendet në nivelin e referuar për një periudhë të gjatë. Popullsia vazhdon të plaket duke bërë që barra e atij grupi joaktiv të popullsisë të bjerë mbi fuqinë punëtore. Sipas analizës rritja natyrale e popullsisë gjatë 50 viteve krijoi një popullsi që tashmë është e pensionuar ose në prag të pensionimit, e rrjedhimisht edhe ekuilibrat në strukturën e moshës së popullsisë ndryshojnë dhe kjo e fundit shkon drejt plakjes. Për shembull, fuqia punëtore e moshës 55 deri në 64 vjeç është rritur vitin e kaluar duke shkuar në mbi 40 për qind. Pjesa më e madhe e tyre janë meshkuj, ndërsa gratë e kësaj grupmoshe janë gjithnjë e më pak të angazhuara në tregun e punës. Gjatë viteve të ardhshme duhet që shkalla e punësimit të kësaj grupmoshe të rritet, të paktën deri në 50 për qind, aq sa është edhe norma e përcaktuar nga Bashkimi Evropian.
“Tranzicioni solli përjashtimin nga tregu i punës i fuqisë punëtore më të moshuar, duke e zëvendësuar me më të re. Për rrjedhojë është rritur numri i atyre që përfitojnë benifite në raport me ata që i krijojnë ato benifite. Popullsia ekonomike joaktive përbën kështu një barrë për të punësuarit dhe në dekadën e ardhshme do të vendosë në pikëpyetje qëndrueshmërinë e financave publike, fondeve të pensionit dhe sistemit të sigurimit shëndetësor dhe social”, sqarohet në Analizën e zhvillimit të qëndrueshëm për vitin 2017, përcjell KOHA. Ndryshimet në volumin dhe në strukturën e popullsisë përbëjnë sfidë për zhvillimin e qëndrueshëm në dekadat që vijnë. Faktorët demografikë, sidomos shkalla e ulët e fertilitetit kushtëzohen nga faktorë ekonomikë dhe nga gjendja e tregut të punës. Dhe shifrat janë alarmante. Nëse në vitin 1995 ishte dy fëmijë për një grua, pas më shumë se 20 vitesh arrit në 1.5 fëmijë. Kjo shkallë fertiliteti paralajmëron plakjen dhe e rendit Maqedoninë në një prej vendeve në rrezik dhe në shkallën më të ulët sesa Shqipëria, Mali i Zi, Sllovenia, madje edhe nën mesataren e vendeve të BE, dhe shumë më poshtë sesa Franca (1.96), Suedia (1.85), Britania e Madhe (1.80), Norvegji (1.72), Belgjikë.
“Nëse fertiliteti do të qëndrojë i tillë për një periudhë më të gjatë, do të sjellë ndryshimin e ekuilibrit mes gjeneratave dhe nevojën për planifikimin e fondeve të pensionit, mbrojtjes sociale, arsimit dhe kujdesit për të moshuarit”, paralajmërojnë ekspertët e ESHS.
Rritja natyrale e popullsisë ka tejkaluar kufijtë negativë në rajonin e Pellagonisë me minus 700 (më shumë të vdekur se të lindur), në Lindor minus 407, ndërsa trendet pozitive janë në ato vendbanime ku jetojnë shqiptarë, si në rajonin e Pollogut që është mbi 930 persona në vit dhe në Shkup, me rreth 2500. Si pasojë e lëvizjeve negative në shumë rajone deri në fund të vitit të kaluar shtimi i popullsisë ishte me rreth 2600 persona, shifër kjo shumë më e vogël sesa në vitet 90-të ku popullsia rritej çdo vit me mbi 15 mijë banorë. Viti më i keq i shtimit të popullsisë ishte 2016, ndërsa gjatë dhjetë viteve të fundit ishte viti 2010 ku popullsia shtohej dyfish krahasuar me vitin e kaluar, duke hequr kështu çdo dilemë se masat e Qeverisë “baby boom” për të stimuluar natalitetin dhe shpërblimet për lindjen e tretë e të katërt nuk arritën të jepnin rezultate.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.