Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Maqeodnisë, me rastin e, siç thuhet, “deklaratave dhe komenteve të shpeshta fyese nga persona zyrtar të Republikës së Shqipërisë drejtuar Republikës së Maqedonisë dhe qytetarëve të saj”, në Ministri dje është thirrur për bisedë ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Maqedonisë.
“Në takim u theksua se deklaratat e kryetarit të Qeverisë dhe ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë për binacionalitet dhe ndryshim të rregullimit kushtetues të Republikës së Maqedonisë, janë involvim i hapur në punët e brendshme të Republikës Maqedonisë. Etiketimi i maqedonasve si ‘sllavomaqedonas’ është fyes dhe diskriminues ndaj maqedonasve dhe të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë”, thuhet në kumtesën e MPJ-së.
Njëherit, shtohet në kumtesë, “u theksua se porositë e tilla janë provokim serioz për fqinjësi të mirë të cilën duam ta kultivojmë dhe se ata bëjnë dëm afatgjatë në marrëdhëniet në rajon dhe nxisin retorikë ekstremiste”. “Ajo që na duhet në rajon, është bashkimi rreth integrimit në BE, paqe dhe progres ekonomik. Për këtë, apelojmë të ndërpriten provokimet, të respektohet sovraniteti dhe të punohet në plan të fqinjësisë së mirë, për të mirën e të gjithëve në rajon”, qëndron në kumtesën nga MPJ e Maqedonisë.