Shkup, 27 janar – Derisa koronavirusi vazhdon të përhapet edhe në shtetet e Europës, Kina vazhdon të mbetet nën ethe pasi ky virus vazhdon të marrë viktima në njerëz. Autoritetet kineze njoftojnë për 81 të vdekur dhe mbi 2,740 të infektuar. Në Kinë jetojnë edhe 100 shtetas të Maqedonisë së Veriut dhe deri tani nuk është paraqitur ndonjë rast i infektuar me koronavirus. Ministria e Punëve të Jashtme njoftoi se përfaqësia konsulare diplomatike në Pekin po monitoron me kujdes situatën dhe është në komunikim të vazhdueshëm me shtetasit tanë atje.
“Në Republikën Popullore të Kinës aktualisht në mënyrë legale gjenden 100 shtetas të Maqedonisë së Veriut. Sipas informacioneve të marra nga përfaqësia jonë diplomatike në Kinë, ju informojmë se deri në këtë moment nuk është paraqitur asnjë shtetas i ynë që është infektuar me koronavirusin. Gjithashtu nuk ka të paraqitur shtetas tanë të cilët gjenden as edhe në zonën më të gjerë me masa restriktive për lëvizje, të cilëve u duhet ndihmë.”,- thuhet nga Ministria e Punëve të Jashtme.
Në Kinë ka edhe shtetas të shumtë nga Shqipëria dhe Kosova. Ata thonë se aktualisht nuk ka prej tyre të infektuar dhe se ndjekin këshillat e autoriteteve mjekësore kineze, derisa kanë bërë edhe kërkesën për të lëshuar tokën kineze.
Aktualisht rrezikshmëria më e lartë është në provincën Vuhan të Kinës, ndërsa rreth 60 milion njerëz gjenden në karantinë të plotë. Ministria e Financave dhe Komisioni Kombëtar i Shëndetësisë në Kinë i kanë ndarë 8 miliardë e 740 milionë dollarë për masat parandaluese kundër përhapjes së koronavirusit. Deri më tani të gjitha vdekjet janë regjistruar në Kinë, ndonëse është duke u rritur numri i të prekurve nga ky virus edhe në Tajlandë, Australi, Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Francë. (koha.mk)