Prishtinë, 7 dhjetor – Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës e mohon informacionin e raportuar nga mediat serbe se shteti i Madagaskarit ka tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Fatmir Haxholli, këshilltar i ministrit të Jashtëm të Kosovës, Behgjet Pacolli, ka thënë për lajmi.net se MPJ-ja nuk ka marrë ndonjë njoftim zyrtar për këtë
“Ne nuk kemi marrë një njoftim të tillë. Serbia dhe ministri i Jashtëm i tyre po mundohen që të shfrytëzojnë ish-ambasadorin e Madagaskarit në Rusi e që tani është ministër i Jashtëm për të bërë propagandë”, ka thënë për lajmi.net Haxholli.
Ndërkohë, Haxholli, për Klan Kosovën konfirmon se Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli është duke vizituar sot pikërisht Madagaskarin, në kuadër të mini-turneut të tij në kontinentin afrikan dhe siç thekson ai, po përpiqet të menaxhojë keqpërdorimet e lidhjeve dhe personaliteteve që bën Beogradi.
Sipas tij, Pacolli do të ketë takime me personalitetet më të larta të këtij vendi, duke filluar nga presidenti i Madagaskarit.
Paraprakisht mediat serbe publikuan se kreu i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq njofton se kanë marrë njoftimin zyrtar nga ministria e Punëve të Jashtme e Madagastarit ku bëhet e ditur tërheqja e njohjes së pavarësisë së Kosovës, vendim ky i marrë më 5 dhjetor.