Shkup, 3 shtator – Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut i ka konfirmur gazetës KOHA se diplomati, zëvendës shefi i Misionit të Maqedonisë në OSBE, Vjenë, është arrestuar në Serbi me kërkesë të policisë austriake. Bëhet fjalë për diplomatin Mile Milenkovski, i cili bashkë me diplomatin në pension S.S, janë ndalur nga policia në Vranjë dhe aktualisht gjenden në paraburgim ekstradimi.
“Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Maqedonisë së Veriut konfirmon se një i punësuar i Ministrisë, i cili momentalisht është dërguar në Misionin tonë të OSBE -së në Vjenë, është arrestuar në Republikën e Serbisë më 27.08.2021, për çka Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Serbisë e ka njoftuar zyrtarisht Ambasadën e Maqedonisë së Veriut në Beograd. Sipas njoftimit, gjykata kompetente në Serbi ka shqiptuar arrest ekstradimi në bazë të një urdhër arresti ndërkombëtar për vepër për të cilën ai akuzohet se e ka kryer gjatë një udhëtimi të tij privat jashtë vendit”, thuhet në përgjigjen e MPJ-së, ndërsa shton se në përputhje me kompetencat e saj ligjore, MPJ e ka ngrirë marrëdhënien e punës me të punësuarin e arrestuar, deri në zgjidhjen e rastit.
Gazeta KOHA merr vesh se zyrtarisht, Serbia homologët e saj në Maqedoni i ka njoftuar sot pasdite, ndërsa në notë-njotimin drejtuar MPJ-së, nuk theksohen arsyet e arrestimit. Megjithatë, siç raportoi KOHA, bëhet fjalë për një urdhër-arrest ndërkombëtar të lëshuar nga policia austriake, për një vepër të vjetër që daton nga viti 2018, ku sipas të gjitha gjasave, janë të përfshirë edhe struktura të larta të sigurisë së Maqedonisë.
Mile Milenkovski dyshohet se para tre viteve, së bashku me dy diplomatë tjerë maqedonas ( identiteti i tyre i njohur për redaksinë), kanë organizuar një udhëtim në Erevan të Armenisë për të evakuuar një personalitet të lartë armen, të dyshuar në vendin e tij për keqpërdorimëshe shumëmilionëshe. Nuk dihet motivet e këtij aksioni, por dyshimet janë se ky aksion është bërë edhe me dijeninë e strukturave të larta të sigurisë në Maqedoni. Kjo, për shkak se i arrestuari Mile Milenkoski, së bashku me dy diplomatë tjerë (S.S) dhe (V.S), për këtë mision shpëtimi të armenit kontrovers, kanë huazuar një aeroplan privat me të cilin kanë udhëtuar në Armeni. Paraprakisht, si mbulesë ata në procedurë të shpejtuar kanë regjistruar një shoqatë joqeveritare për personat me nevoja të veçanta, për të marrë pjesë në një konferencë në këtë temë.
Mile Milenkoski është i njohur edhe për skandale tjera gjatë angazhimit në diplomacinë e vendit. Ndaj tij ka pasur dyshime se është i përfshirë në një mashtrim financiar në Konsullatën e Maqedonisë në Detroit, prej nga transferohet pastaj në Çikago. Aty, ai përleshet fizikisht me konsullin gjeneral dhe më pas dërgohet në Uashington. Më vonë, edhe prej atje, pas një sërë zënkash dhe incidentesh, me kërkesë të ish-ambasadorit në Uashington, Zoran Jolevski, Mile Milenkoski kthehet në Shkup. Në vitin 2017, ai angazhohet në Vjenë në Misionin e Maqedonisë në OSBE, si zëvendës i ambasadorit të atëhershëm, Kire Iliovski, me të cilin thuhet se gjithashtu ka pasur një konflikt fizik. Skandali me Armeninë ndodhi pikërisht gjatë misionit të tij në Vjenë. Përkundër gjithë këtyre incidenteve, para disa muajve Mile Milenkoski është rizgjedhur sërish në konkursin e MPJ-së për zëvendës të shefit të Maqedonisë në OSBE në Vjenë. Madje, emërimi i tij këtë herë thuhet të jetë bërë pa miratimin e shefit të Drejtorisë për Shërbime Juridike dhe Konsullore pranë MPJ-së. Kjo për shkak se Milenkoski konsiderohet i “fortë” pasi gëzon mbështetje politike dhe të strukturave më të larta të sigurisë së vendit, thonë burimet tona. (koha.mk)