Moskë, 27 korrik – Moska zyrtare shpreson se në mbledhjen e nesërme me përfaqësuesit amerikan në Gjenevë do të konfirmohet sa është “serioz” Uashingtoni në dëshirën për dialog, kumtoi sot Ministria ruse e Punëve të Jashtme.
Zëvendësministri rus i Punëve të Jashtme Sergej Rjabkov deklaroi se pala ruse në mbledhje duhet të konfirmojë “sa pala amerikane është serioze në dëshirën për dialog energjik dhe të fokusuar për stabilitet strategjik”. Dialogu për stabilitet strategjik është vendosur gjatë samitit të presidentëve të SHBA-së dhe Rusisë, Xho Bajden dhe Vlladimir Putin, në mbledhjen më 16 qershor në Gjenevë. Dialogu ka për qëllim t’i stabilizojë marrëdhëniet e tensionuara ndërmjet Rusisë dhe SHBA-së.
Takimi ndërmjet delegacionit rus dhe amerikan është caktuar për nesër në Gjenevë dhe do të mbahet pas dyerve të mbyllura.
“Qëllimi i mbledhjes është të fillojë procesi, në mënyrë themelore të analizohen pikat e mospajtimeve dhe të bëhet përpjekje për gjetje të fushave për punë të përbashkët”, theksoi Rjabkov, duke shtuar se “çështje e madhe” është nëse dialogu do të ndikojë në përparimin e marrëdhënieve bilaterale.
Ai deklaroi se nuk ka pritje të mëdha, derisa zëdhënësi i Kremlinit, Dmitrij Peskov konsideron se përmirësimi i marrëdhënieve është “proces shumë i ndërlikuar”, por e përshëndet faktin që kontakti është realizuar.
Departamenti i shtetit kumtoi se delegacionin do ta udhëheq zëvendëssekretarja shtetërore amerikane, Vendi Sherman. Delegacionin rus do ta udhëheq Rjabkov.